Vendosni fjalën kyçe....

“Zhbërje e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës e hapje të listave, këto janë zgjidhjet” – Meta


Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka propozur zgjidhjet e mundshme për të kapërcyer krizën politike që po kalon vendi.

Ish-presidenti që ndodhet në qeli, në pritje të gjykimit, kërkon rikthimin e Kushtetutës para ndryshimeve të vitit 2008, gjë që do rikthente ndarjen e pushteteve.

Ai propozon gjithashtu hapjen 100% të listave zgjedhore për deputetë, kryebashkiakë e këshilltarë bashkiakë si dhe balotazhin për kryebashkiakët.

“VETËM KËTO JANË ZGJIDHJET!

Rikthimi i Kushtetutës së para ndryshimeve të vitit 2008, për të rivendosur ndarjen e pushteteve, sistemin e kontrollit dhe balancës ndërmjet tyre, si garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.

Hapja 100% e listave për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë, në mënyrë që mandatin ta marrin drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga kryetarët e partive.

Rikthimi i balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive, në mënyrë që fituesi të ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve.

Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit dhe garantohet e drejta që krahas kandidatëve të partive politike edhe qytetarë me kontribute, integritet dhe mbështetje publike të mund të garojnë e të zgjidhen si kandidatë të pavarur.

Mjaft më me deputetë të kryetarëve dhe partitokracisë!

Shqiptarët meritojnë të  zgjedhin të lirë dhe që zëri i tyre të dëgjohet fort!

Vetëm kështu Shqipëria çlirohet nga kapja e shtetit dhe socialistët e ndershëm shpëtojnë nga kthetrat e “Rilindjes”

Vetëm kështu Shqipëria mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit shqiptar.”