Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka renditur propozimet e tij për ndryshimet në kodin zgjedhor, në mënyrë që të zgjidhet ajo që ai e cilësoi si krizë politike dhe institucionale në vend.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta kërkon rikthimin e Kushtetutës së para ndryshimeve të vitit 2008, me qëllim rivendosjen e ndarjes së pushteteve dhe mekanizmave të kontrollit e balancës mes tyre.
Meta propozon gjithashtu hapjen 100% të listave për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë, si dhe rikthimin e balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive.
Sipas tij, këto ndryshime do t'u jepnin qytetarëve më shumë pushtet në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre dhe do të krijonin mundësi edhe për kandidatë të pavarur.
“Mjaft më me deputetë të kryetarëve dhe partitokracisë!”, shkruan Meta, duke theksuar se vetëm përmes këtyre reformave mund të rikthehet sovraniteti te qytetarët dhe të garantohet integrimi evropian i Shqipërisë.
Reagimi i Metës:
Vetëm këto janë zgjidhjet!
Rikthimi i Kushtetutës së para ndryshimeve të vitit 2008, për të rivendosur ndarjen e pushteteve, sistemin e kontrollit dhe balancës ndërmjet tyre, si garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.
Hapja 100% e listave për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë, në mënyrë që mandatin ta marrin drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga kryetarët e partive.
Rikthimi i balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive, në mënyrë që fituesi të ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve.
Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit dhe garantohet e drejta që krahas kandidatëve të partive politike edhe qytetarë me kontribute, integritet dhe mbështetje publike të mund të garojnë e të zgjidhen si kandidatë të pavarur.
Mjaft më me deputetë të kryetarëve dhe partitokracisë!
Shqiptarët meritojnë të zgjedhin të lirë dhe që zëri i tyre të dëgjohet fort!
Vetëm kështu Shqipëria çlirohet nga kapja e shtetit dhe socialistët e ndershëm shpëtojnë nga kthetrat e "Rilindjes".
Vetëm kështu Shqipëria mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit shqiptar.




Komente
Komento