
Debati për buxhetin e vitit 2027 ka sjellë përplasje. Teksa deputetja socialiste Milva Ekonomi po fliste për skemën e pensioneve dhe rritjen e parashikuar të tyre nga 1 janari, gazetari Bledian Koka ndërhyri duke ngritur shqetësimin për diferencën mes pensioneve të qytetarëve dhe atyre që përfitojnë deputetët.
“Mos ngatërroni pensionin e deputetëve me të qytetarëve, zonjë. Mos i ngatërroni pensionet 1 milion lekë me pensionet maksimumi 200 mijë lekë të vjetra për qytetarët”, deklaroi Koka, duke kundërshtuar shpjegimet e deputetes socialiste.
Nga ana e saj, Ekonomi reagoi duke sqaruar se pensionet në Shqipëri ndahen sipas kategorive dhe se vlera e tyre nuk është e njëjtë për të gjithë përfituesit. Sipas saj, pensioni i plotë në qytet arrin në 400 mijë lekë të vjetra, ndërsa pensioni i pjesshëm në qytet është 220 mijë lekë. Ajo përmendi gjithashtu pensionin rural prej 180 mijë lekësh dhe atë për familjet me individë me aftësi të kufizuara, në vlerën 300 mijë lekë të vjetra.
“Instituti i Sigurimeve Shoqërore nuk të flet për një pension aq të ulët, sepse ai është i ndryshëm për pensione të ndryshme. Tani ti ke një pension të plotë në qytet që është 400 mijë lekë, një pension të pjesshëm në qytet që është 220 mijë lekë, një pension rural që është 180 mijë lekë dhe ke një pension për familjet që kanë individë me aftësi ndryshe që është 300 mijë lekë të vjetra”, u shpreh Ekonomi në ”A2cnn”. Deputetja këmbënguli se skema është e ndarë sipas kategorive dhe se vlerat e përmendura duhen parë në raport me llojin e pensionit që përfiton secili qytetar.
