Një fushatë bamirësie e hapur në Angli për të ndihmuar 17-vjeçarin Erind Goçlari dhe familjen e tij ka mbledhur mbi 119 mijë paund, duke tejkaluar ndjeshëm objektivin fillestar prej 85 mijë paundësh.
Fushata është iniciuar nga gazetari i News24, Osman Stafa. Një ditë më parë ai tregon me pamje se familja e të riut jeton në kushte të vështira ekonomike dhe ka nevojë urgjente për rikonstruksionin e banesës. Sipas tij, Erindi humbi nënën nga kanceri në vitin 2018, kur ishte ende fëmijë, ndërsa sot jeton me të atin, vëllanë dhe motrën.
Në përshkrimin e fushatës thuhet se 17-vjeçari mori pjesë në protestat kundër kryeministrit Edi Rama, ku kërkohej dorëheqja e tij, dhe më pas u gjobit nga Policia e Shtetit me 5 milionë lekë të vjetra, ose rreth 500 mijë lekë të rinj. Shuma e gjobës përllogaritet në afërsisht 4,600 paund.
Sipas organizatorit të fushatës, i riu nuk ka mundësi ekonomike për ta paguar këtë gjobë. Një raportim nga BalkanWeb, i publikuar më 8 nëntor tregoi gjithashtu shqetësimin për pamundësinë e tij për të përballuar këtë detyrim.
Daniel Nikolla thekson se fondet e mbledhura do të përdoren për rikonstruksionin e banesës, me qëllim që Erindi dhe familjarët e tij të kenë kushte normale jetese. Në përshkrimin e fushatës, familja kërkon vetëm një banesë dinjitoze, pas vështirësive ekonomike me të cilat është përballur.






