Shembja e një ure hekurudhore në rajonin e Arkhangelskut, në veri të Rusisë, ka nxjerrë nga shinat disa vagonë të një treni mallrash dhe ka ndërprerë qarkullimin në segmentin e prekur. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së martës, 10 nëntor.
Rreth orës 05:10, një pjesë e urës mbi lumin Vilen u rrëzua në linjën hekurudhore mes Cheryomukha dhe Vilen. Të dhënat paraprake të autoriteteve tregojnë se për pasojë disa vagonë mallrash dolën nga shinat.
Të lidhura
None found
Guvernatori i Arkhangelskut, Alexander Tsybulsky, konfirmoi ngjarjen dhe tha se, deri në çastin e raportimit, nuk kishte të dhëna për të lënduar.
Qarkullimi hekurudhor në këtë pjesë të linjës është pezulluar, ndërsa të paktën tetë trena pasagjerësh janë vonuar. Në vendngjarje kanë mbërritur ekipe të specializuara dhe trena shpëtimi për të ndërhyrë e për të vlerësuar dëmet.
Autoritetet po shqyrtojnë zgjidhje të tjera transporti për pasagjerët e bllokuar nga ndërprerja e shërbimit hekurudhor, përfshirë mundësinë e përdorimit të autobusëve.
Shërbimet përgjegjëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar arsyen e shembjes. Ende nuk ka një përfundim zyrtar nëse ajo lidhet me konstruksionin e urës, me dëmtime të infrastrukturës apo me ndonjë shkak tjetër.
Ndërsa vazhdojnë punimet për normalizimin e situatës dhe rifillimin e qarkullimit hekurudhor në zonë, autoritetet ruse pritet të japin hollësi të tjera.






