Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur avionët furnizues të karburantit nga baza ajrore Mildenhall, në juglindje të Anglisë, drejt bazave të tjera në Evropë, në një lëvizje që ngre dyshime për kërcënime të mundshme ndaj instalimeve ushtarake amerikane në Britani.
Sipas të dhënave të gjurmimit të fluturimeve dhe pamjeve filmike, rreth 9 deri në 10 avionë furnizues janë larguar nga Mildenhall. Shumica janë dislokuar në Gjermani, ndërsa të tjerë në Spanjë dhe në një bazë ajrore në veri të Anglisë, pranë Glasgout, në Skoci.
Ndërkohë, tre avionë me aftësi ngritjeje vertikale janë zhvendosur në një tjetër bazë britanike, në jugperëndim të vendit. Deri më tani, autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar zyrtarisht këtë operacion.
Lëvizja vjen disa javë pas një incidenti të ngjashëm në bazën ajrore Fairford, në veriperëndim të Londrës. Atje, bombarduesit e rëndë strategjikë amerikanë, të përfshirë në fushatën ajrore të SHBA-së kundër Iranit, u zhvendosën drejt Shteteve të Bashkuara. Në atë periudhë pati edhe disa arrestime të personave të dyshuar për bashkëpunim me Iranin.
Zhvendosja e fundit duket se lidhet posaçërisht me sigurinë në bazën Mildenhall, ku ishte stacionuar flota e avionëve furnizues. Megjithatë, arsyet konkrete të këtij operacioni mbeten të paqarta dhe pritet që pala amerikane të sqarojë se cilat kërcënime kanë çuar në marrjen e kësaj mase.
Zhvillimi pritet të shtojë presionin ndaj qeverisë britanike, veçanërisht pas deklaratave të kryeministrit Andy Burnham lidhur me incidentin në Fairford. Rreth një muaj më parë, ai e cilësoi atë si një komplot të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Rasti i Mildenhall ngre gjithashtu pikëpyetje mbi aftësinë e Britanisë për të garantuar sigurinë e personelit dhe pajisjeve ushtarake amerikane të dislokuara në territorin e saj. Deri më tani nuk raportohet për dëme, ndërsa në burim vlerësohet se zbulimi dhe inteligjenca britanike kanë ndihmuar në parandalimin e tyre.
Ministria britanike e Mbrojtjes nuk ka pranuar të komentojë zhvillimin, duke ruajtur qëndrimin e saj se nuk jep deklarata për operacionet ushtarake të shteteve të tjera.


