Aleksandër Vuçiqin e rrëzuan nga pushteti, por jo edhe mendësinë e tij dhe qasjen ndaj Kosovës e pavarësisë së shtetit.
Sa fituan zgjedhjet në Serbi, kandidatë dhe përfaqësues të Listës Studentore erdhën menjëherë në Kosovë, e deklaratat e tyre kanë pak dallim me Vuçiqin e paraardhësit e tyre.
Pos kësaj, kjo vizitë nuk u lajmërua në institucionet e Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për televizionin Dukagjini, e dha një sqarim për këtë.
“Lidhur me vizitën e përfaqësuesve të Listës Studentore, më 8 dhe 9 nëntor 2026, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka pranuar kërkesë për vizitë zyrtare dhe, rrjedhimisht, nuk ka lëshuar ndonjë miratim të tillë. Duke qenë se përfaqësuesit në fjalë nuk mbajnë akoma funksione zyrtare në institucionet shtetërore të Serbisë, hyrja dhe qëndrimi i tyre në Republikën e Kosovës janë realizuar në cilësinë e qytetarëve të zakonshëm, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përgjithshme për hyrjen dhe qëndrimin e shtetasve të Serbisë në Republikën e Kosovës”.
Ndonëse hynë si qytetarë të zakonshëm, deklaratat që i lëshuan përmes postimeve publike, mbeten krejtësisht politike.
Fegja Dimoviq, kandidat i Listës Studentore në Serbi, tha se “Kosova zë vend të rëndësishëm në programin politik të tyre”, duke e cilësuar madje si “pjesë përbërëse të Serbisë” dhe “shtyllë të identitetit shpirtëror dhe kulturor”.
Këtë lloj gjuhe e kritikoi ashpër, kryetari i Komisionit për Siguri, Mefail Bajqinovci.
“E di një që, në momentin kur vendosesh në pozicionin zyrtar, dhe ke deklarata të tilla, ka vendime sikurse që kemi marrë vendime për ministra dhe zyrtarë të lartë të Serbisë të cilët e kanë të ndaluar të hyjnë në Kosovë dhe që i kemi thyer mbrapa si zakonisht. Është gjuhë skandaloze dhe e papranueshme që dihet më publikisht që disa ministra të Vuçiqit patën deklaruar, e kanë të ndaluar të hyjnë në Kosovë”, ka thënë Bajqinovci.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, sipas njoftimeve, takimet ishin kryesisht me klerikë të Kishës Ortodokse Serbe, dhe ata vizituan Prizrenin dhe Manastirin e Graçanicës.