
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se strategjia e Uashingtonit ndaj Iranit po jep efektet e pritshme, duke nënvizuar se sanksionet ekonomike dhe bllokada detare mund të arrijnë objektivat amerikane pa pasur nevojë për një përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak. Gjatë një deklarate për mediat në Paris, pas takimeve dyditore me përfaqësuesit e vendeve të G7-ës, Rubio hodhi poshtë mundësinë që pezullimi i sulmeve të reja ndaj Teheranit të interpretohet si një bllokim i konfliktit.
Ai theksoi se Irani po përballet me një presion ekonomik gjithnjë e më të madh, i cili, sipas tij, po rëndohet nga dita në ditë. Kryediplomati amerikan argumentoi se Uashingtoni nuk ka arsye të përdorë forcën ushtarake nëse të njëjtat rezultate mund të arrihen përmes masave ekonomike. Ai pretendoi gjithashtu se kufizimet ndaj eksporteve energjetike iraniane janë të paprecedenta.
Deklaratat e Rubios vijnë pas vendimit të presidentit Donald Trump për të pezulluar përkohësisht sulmet e reja ndaj Iranit, pas kërkesave të disa shteteve të rajonit, përfshirë Katarin. Zhvillimet në Lindjen e Mesme kanë shkaktuar përplasje edhe në skenën politike amerikane. Trump ka pranuar se lufta me Iranin ka qenë një prej faktorëve që kanë ndikuar në rezultatin e pafavorshëm të republikanëve në zgjedhjet e ndërmjetme për Kongresin.
