Një 39-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri në Orihuela Costa të Spanjës. Ngjarja dyshohet se lidhet me një larje hesapesh, ndërsa autori i krimit është larguar nga vendi i ngjarjes me monopatinë elektrike.
Sipas medias spanjolle ‘Información’, ngjarja ka ndodhur pak para orës 13:00 të së martës, në kompleksin sportiv dhe të argëtimit ‘Playa Flamenca Sport Club’, në zonën e Playa Flamenca, në Orihuela Costa.
Viktima, me origjinë shqiptare, ndodhej në tarracën e një lokali brenda kompleksit, kur një person është afruar dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur.
Pas atentatit, autori është larguar me monopatinë elektrike, sipas dëshmive të personave që ndodheshin në vendngjarje.
Në vendin e krimit kanë mbërritur efektivë të Guardia Civil, pas njoftimit nga Policia Lokale e Orihuelës.
Hetimet po kryhen nga agjentët e Policisë Gjyqësore dhe ekspertët e Laboratorit të Kriminalistikës, të cilët kanë kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes për të zbardhur rrethanat e vrasjes.
Në kompleksin sportiv ka mbërritur edhe një ambulancë e shërbimit të urgjencës SAMU, por ekipi mjekësor nuk ka mundur ta shpëtojë 39-vjeçarin dhe vetëm ka konstatuar vdekjen e tij.
Trupi i viktimës është gjetur pranë tarracës së lokalit. Autoritetet gjyqësore kanë urdhëruar transportimin e tij në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Alicante, ku të mërkurën pritet të kryhet autopsia.
Guardia Civil vijon kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa motivet e atentatit mbeten nën hetim.
© SYRI.net