I zhgënjyer me Juventusin, Edon Zhegrova drejt gjigantit turk?
Besiktas po shqyrton mundësinë për të rikthyer interesimin për Edon Zhegrovën në afatin kalimtar të janarit, pasi situata e yllit të Kosovës te Juventusi ka ndryshuar dukshëm.
Klubi turk kishte shfaqur interesim për transferimin e anësorit kosovar edhe gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2026, por në atë kohë Zhegrova nuk ishte i bindur nga oferta e marrë dhe nuk dëshironte të largohej drejt Turqisë.
Megjithatë, gjërat kanë ndryshuar që atëherë, pasi aventura e tij në futbollin italian nuk ka shkuar sipas pritshmërive.
Sipas raportimeve të mediumit turk “Fotospor”, drejtuesit e Juventusit tashmë janë të gatshëm të ndahen me Zhegrovën dhe janë të hapur për të shqyrtuar oferta të ndryshme, qoftë për transferim të përhershëm apo huazim.
Besiktas kishte kërkuar për një kohë të gjatë përforcime në krahun e djathtë të sulmit gjatë verës, ndërsa së fundmi siguroi shërbimet e Ernest Pokut nga Bayer Leverkuseni në formë huazimi.

Megjithatë, futbollisti i ri nuk ka marrë minutat e lojës që priteshin, ndërsa edhe paraqitjet e Vaclav Cernyt janë vënë në pikëpyetje. Për këtë arsye, largimi i çekut gjatë afatit kalimtar të janarit shihet si një mundësi shumë e madhe.
Në këtë situatë, Zhegrova mund të rikthehet në listën e dëshirave të klubit nga Stambolli, i cili mund të tentojë ta finalizojë marrëveshjen që nuk arriti ta realizonte gjatë verës.
Juventusi e transferoi futbollistin kosovar nga Lille në vitin 2025 për 15 milionë euro, por aventura e tij në Itali deri më tani nuk ka rezultuar ashtu siç pritej./Telegrafi/

































