Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një diskutim në Musée de l’Homme, në Paris, në kuadër të “Forumit të Paqes”. Biseda u përqendrua te zgjerimi i Bashkimit Europian dhe e ardhmja e brezit të ri.
Gjatë diskutimit, Ramës iu kërkua të shpjegonte çfarë kupton ai me liri në kontekstin e projektit europian. Pyetja iu referua edhe profesoreshës shqiptare Lea Ypi dhe mendimit të saj se liria varet nga mënyra si e përkufizojmë.
Të lidhura
None found
Kryeministri tha se, për të, liria nënkupton mundësinë për të qenë në Paris e për të biseduar lirshëm, ndryshe nga koha kur ishte 26 vjeç dhe duhej të luftonte për të kaluar kufirin e Shqipërisë e për të parë botën. Ai e lidhi lirinë edhe me të drejtën për të shkuar ku dëshiron, për të folur me kë dëshiron dhe për të shprehur mendimet sa më shumë që të mundet, ndonëse posti që mban nuk i lejon të thotë gjithçka do.
Një tjetër pjesëmarrës, i cili tha se kishte vizituar Shqipërinë pak muaj më parë, falënderoi kryeministrin, vlerësoi mikpritjen e shqiptarëve dhe u shpreh dakord me të për ofertat e vendit. Duke përmendur edhe vizitën e tij të fundit në qendrën bektashiane, ai e pyeti Ramën nëse Shqipëria do të vijojë me krijimin e shtetit Bektashi në Tiranë edhe pas anëtarësimit në BE. Kjo ide është hedhur prej kohësh, por ende nuk është shoqëruar me hapa konkretë.
“Po, po punojmë për këtë dhe le të shohim se ku do të mbërrijmë”, u përgjigj Rama.







