Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka cilësuar si “konstruktive dhe mjaft përmbajtjesore” ditën e parë të negociatave mes Ukrainës dhe Rusisë, të zhvilluara në Abu Dhabi me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një reagim në rrjetin social X, Zelensky bëri të ditur se ka dhënë udhëzime për vijimin e dialogut trepalësh, si dhe për zgjerimin e diskutimeve në ditët në vijim, me përfaqësuesit amerikanë dhe evropianë.

Sipas tij, diskutimet u përqendruan te çështjet humanitare dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën. Një prej prioriteteve kryesore mbetet lirimi i të burgosurve, ndërsa palët diskutuan edhe mekanizmat që do të garantonin sigurinë afatgjatë të vendit dhe parandalimin e rifillimit të luftës.

Zelensky theksoi gjithashtu rëndësinë e masave për uljen e tensioneve, duke nënvizuar se objektivi kryesor i negociatave është afrimi i një marrëveshjeje paqeje.

Presidenti ukrainas falënderoi Shtetet e Bashkuara për organizimin e takimit dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për ofrimin e një platforme negociuese.

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cilësoi bisedimet si “shumë produktive”, por paralajmëroi se mbetet ende shumë punë përpara arritjes së një marrëveshjeje.

Dita e parë e negociatave ka përfunduar, ndërsa delegacioni ukrainas ka konfirmuar se takimet trepalëshe pritet të vijojnë të nesërmen në mëngjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: