Kryeministri Edi Rama nuk jep më garanci për përmbushjen e objektivit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
I pyetur për procesin e anëtarësimit, gjatë Forumit të Paqes në Paris, Rama u shpreh se nuk mund të premtojë për një afat që, sipas tij, nuk varet vetëm nga qeveria shqiptare, pavarësisht se ishte vetë ai i cili premtonte se në 2030 Shqipëria do të ishte pjesë e BE.
“E dini shumë më mirë se nuk premton dot asgjë për Europën. Unë kurrë nuk premtoj dot për gjëra që s’varen prej meje. Ajo që është e qartë, bazuar në progresraportin, Komisioni Europian është shprehur se 2027 është viti kur duhet të punojmë me Traktatin e Anëtarësimit dhe nëse çdo gjë shkon mirë, do t’i përmbyllim negociatat në fund të vitit të ardhshëm”, deklaroi ai.
Kujtojmë se anëtarësimi në BE deri në vitin 2030 është përdorur vazhdimisht nga Rama si një prej objektivave kryesore të qeverisë dhe si kartë elektorale në zgjedhjet e 14 majit. Tashmë, kryeministri pranon se nuk mund të japë garanci për këtë afat.













