Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka cilësuar si “farsë” dhe “sabotim” përpjekjen për shkarkimin e tij përmes procedurës së shkarkimit, të iniciuar nga kongresisti republikan Thomas Massie.
Në konferencën e tij të parë për media pas gjashtë muajsh, të mbajtur në Pentagon, Hegseth ka mbrojtur veprimet ushtarake amerikane në Iran dhe Venezuelë, duke këmbëngulur se ato ishin të ligjshme dhe të urdhëruara nga presidenti Donald Trump.
“Ky nuk është patriotizëm. Ky është sabotim”, ka deklaruar Hegseth, duke iu referuar nismës për shkarkimin e tij.
Kongresisti republikan Thomas Massie paraqiti të hënën në Dhomën e Përfaqësuesve nenet e shkarkimit, duke e akuzuar Hegsethin për shkelje të Kushtetutës, pasi kishte nisur luftën kundër Iranit pa marrë miratimin e Kongresit.
Massie argumenton se ligji amerikan kërkon që ushtria të tërhiqet nga armiqësitë brenda 60 ditësh, nëse Kongresi nuk e autorizon ndërhyrjen. Sipas tij, lufta në Iran ka zgjatur tashmë 256 ditë.
Hegseth i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se të gjitha operacionet ushtarake amerikane në Iran dhe Venezuelë kanë qenë të ligjshme, të urdhëruara nga komandanti i përgjithshëm dhe të njoftuara në Kongres.