Paris, Rama: Kosova është shtet i pavarur dhe nuk ka kthim pas, Serbia duhet ta pranojë si fakt

Kryeministri Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Paqes që po zhvillohet në Paris, vuri theksin te roli i Shqipërisë në promovimin e paqes dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, duke u ndalur veçanërisht te marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe nevoja për normalizimin e tyre.
Në bashkëbisedimin kushtuar paqes dhe stabilitetit në rajon, Rama tha se Shqipëria ka qenë ndër vendet më aktive në nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit gjatë dekadës së fundit.
“Shqipëria ka qenë gjithnjë vend paqedashës dhe gjatë 10 viteve të fundit jemi përpjekur të jemi shumë aktivë në nxitjen e paqes dhe bashkëpunimit me të gjithë në rajon”, u shpreh kreu i qeverisë.
Duke folur për sfidat që shoqërojnë marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit, Rama përdori një krahasim për fqinjësinë, duke theksuar se vendet e rajonit duhet të gjejnë mënyra për të bashkëjetuar dhe bashkëpunuar.
“Ka disa gjëra që mund të jesh sa i lirë të duash, por që nuk mund t’i zgjedhësh. Nuk zgjedh dot as kushërinjtë dhe as fqinjët. Fqinjët janë aty ku janë dhe do të jenë gjithmonë aty. Kështu që më mirë të përpiqesh të shkosh mirë me fqinjin, sepse në të kundërt gjen bela”, tha ai.
Kryeministri kujtoi se Shqipëria ka investuar vazhdimisht në ndërtimin e urave të bashkëpunimit në rajon, megjithëse pranoi se çështja e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës vazhdon të mbetet sfida më e madhe.
“Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka kemi mundur me një farë shkalle suksesi. Por sa i takon çështjes së Serbisë dhe Kosovës, mbetet ende një pikëpyetje”, deklaroi Rama.
Ai përsëriti qëndrimin e tij se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe se nuk ekziston asnjë mundësi për rikthim pas.
“Kosova është një shtet i pavarur, një shtet që njihet nga shumë vende, ende jo nga të gjithë, por nuk ka më kthim pas. Nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer në një fantazi të re serbe”, u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, pranimi i këtij realiteti nga Serbia do të ndihmonte jo vetëm në normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe në stabilizimin afatgjatë të rajonit.
“Sa më shpejt që serbët të kuptojnë se duhet ta shohin këtë si një fakt jete, aq më mirë do të jetë për ta, sepse nuk do të përndiqen nga kjo fantazmë që nuk po i lë të normalizohen plotësisht sa i takon marrëdhënieve në rajon”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




