Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e zhvilluara në Shqipëri në fillim të qershorit, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Paqes në Paris, duke e lidhur zemërimin fillestar të qytetarëve me projektin që përfshinte Jared Kushner.
I pyetur për ngjashmëritë mes protestave në Shqipëri, Itali dhe Francë, Rama bëri një dallim mes manifestimeve të para, ku sipas tij morën pjesë qytetarë nga fusha të ndryshme të jetës, dhe protestave të mëvonshme, të cilat u shoqëruan me akte dhune.
“Do të thoja që në rastin tonë protestat kanë veçantitë e tyre dhe në të njëjtën kohë do të bëja një dallim mes asaj që ka ndodhur në fillim, pra në manifestimet e fillimqershorit, ku pati një numër mjaft të madh njerëzish që vinin nga të gjitha fushat e jetës dhe shprehnin shqetësime, të cilat erdhën si rrjedhojë e projektit të famshëm që lidhet me Jared Kushner. Ishte si një lloj shamie apo flamuri i kuq që nxiti zemërimin e ‘demit’ në qytetin tonë. Nga kjo pastaj mbeti një numër shumë i vogël protestuesish që më vonë përshkallëzuan në dhunë, që nuk është e pranueshme dhe s’ka të bëjë më me protestën e fillimit”, u shpreh Rama.
Kryeministri e vendosi situatën në Shqipëri edhe në një kontekst më të gjerë europian, duke vënë në dukje ndikimin e rrjeteve sociale në mënyrën se si të rinjtë informohen dhe përfshihen në protesta.
“Është një situatë komplekse në mbarë Europën, që do ta përkufizoja si një përplasje mes botës reale dhe medias sociale, ku shumë të rinj marrin informacionin apo keqinformimin, apo të dyja, si dhe frymëzimin për të përshkallëzuar në mënyra të cilat janë të papranueshme në një shoqëri demokratike”, deklaroi Rama.
