Analisti Alfred Lela ka komentuar zhvillimet politike në vend, reformën zgjedhore dhe raportet mes Partisë Demokratike dhe partive të reja opozitare. Në një intervistë për “News24”, ai bëri thirrje për bashkimin e opozitës në një front të përbashkët, ndërsa paralajmëroi se kthimi i lëvizjes studentore në një subjekt politik do të ishte një kurth.
Lela u shpreh se PD duhet të jetë e hapur për diskutime me partitë e tjera opozitare dhe të pranojë që ato të ulen në tryezë si të barabarta, pavarësisht se është forca më e madhe e opozitës.
Duke u ndalur te reforma zgjedhore, ai theksoi se Kodi Zgjedhor është një kushtëzim i Bashkimit Evropian për integrimin e Shqipërisë dhe se momenti për të vepruar është tani.
Sipas tij, partitë opozitare duhet të hartojnë një dokument të përbashkët, ku të përfshihen interesat dhe propozimet e secilës forcë politike, për të krijuar më pas një front të përbashkët kundër qeverisë Rama.
Lela sugjeroi gjithashtu që para zgjedhjeve të ketë dakordësi për mënyrën se si do të konfigurohej një qeveri e ardhshme.
Gjithashtu ai theksoi se të premten mblidhet Grupi Parlamentar i PD për Reformën Zgjedhore.
“PD të premten mbledh grupin parlamentar për të diskutuar për qëndrimin për reformën zgjedhore , rreth mesditës. Grupi parlamentar i PD mblidhet me kryetarin me specialistë, për të diskutuar se cila është paketa dhe oferta e PD”, tha ai.
Lela komentoi edhe thirrjet e protestuesve në shesh “Rama në burg, Berisha në burg”, duke kujtuar se Sali Berisha ka qëndruar 333 ditë në arrest shtëpie.
Në lidhje me lëvizjen studentore, Lela tha se ajo nuk duhet të shndërrohet në një parti politike, pasi sipas tij, ka lindur si një lëvizje shoqërore dhe politike për të përmbushur kërkesa konkrete dhe për të kundërshtuar qeverinë.
Ai paralajmëroi se në momentin që studentët do të krijonin një formacion politik për t’u përballur me Ramën, do të barazoheshin me partitë e tjera dhe do të përfshiheshin në garën e zakonshme politike.
“PD mund të bëjë vetëm këtë: të jetë e hapur, të jetë gati për t’u ulur dhe të diskutojë si e barabartë, edhe pse është partia më e madhe në opozitë. Por këtë mund ta bëjë. Kodi Zgjedhor është kushtëzim i BE-së për integrimin e Shqipërisë. Agron Shehaj ka thënë qartësisht: ‘Do të presim’.
Por kush di dy gjëra politikë, e di që koha është tani, sepse tani Rama, thënë figurativisht, e ka lakun në fyt. Dhe të thuash se ka kohë, është si t’ia zgjidhësh lakun. Por unë kam përshtypjen se i pengojnë deliret e madhështisë ose egot personale të ndonjërit. Bëjnë një llogari që nuk e di sa është e mbështetur, por nuk më duket e mbështetur as nga sondazhet. Bëjnë llogari në erë.
Ky është rasti që të gjitha partitë opozitare që thonë se janë kundër Ramës të bëhen bashkë, të krijojnë një dokument ku të përfaqësohen pikat e interesit të përbashkët të secilës palë, të bien dakord mbi këtë dokument dhe ai të krijojë edhe frontin opozitar kundër Ramës. Të shkohet në zgjedhje dhe, para zgjedhjeve, të bëhet edhe ndarja se si do të konfigurohet një qeveri e ardhshme e mundshme. Sali Berisha e ka bërë burgun e Edi Ramës 333 ditë. Ata që i thonë ‘Berisha në burg’, shpresoj ta provojnë atë burg për 333 ditë secili. Ata që e thonë, e pafshin vetë.
Sali Berisha ka thënë: ‘Le të thonë sa të duan’, dhe nuk ia ka marrë për keq. Sali Berisha ka thënë se do të jenë në mbështetje të studentëve. Të gjithë ata që duan të ndihmojnë lëvizjen studentore duke e kthyer në parti, e kanë kurth, sepse ajo nuk ka lindur si lëvizje elektorale. Ka lindur si lëvizje shoqërore-politike për të plotësuar disa kërkesa, për të rrëzuar një kryeministër. Por, në momentin që ata futen përballë Ramës si formacion politik, barazohen me çdo parti tjetër politike dhe futen në atë vargan të luftës politike.”, tha ai.
