Rama: Kosova është shtet i pavarur, nuk ka kthim pas! Serbia duhet ta pranojë këtë realitet

Kryeministri Edi Rama ka komentuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se çështja mbetet ende një pikëpyetje.
Ai tha se situata nuk duket se ka shënuar përmirësim as në raport me Bashkimin Evropian dhe Serbinë.
Gjatë një interviste në kuadër të “Forumit të Paqes” në Paris, Rama u shpreh se shqiptarët kanë qenë gjithmonë paqedashës dhe se Shqipëria është përpjekur të bashkëpunojë me të gjitha vendet e rajonit.
Ai theksoi se Kosova është një shtet i pavarur dhe se nuk ka më kthim pas, duke nënvizuar se sa më shpejt Serbia ta pranojë këtë realitet, aq më mirë do të jetë edhe për të.
“Shqiptarët kanë qenë gjithmonë paqedashës. Jemi përpjekur të jemi shumë aktivë dhe në bashkëpunim me të gjithë në rajon. Përpiqemi të shkojmë mirë me fqinjët, sepse ndryshe gjen belanë. Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka mundemi. Por, sa i takon çështjes Serbi-Kosovë, mbetet një pikëpyetje, sepse edhe në raport me BE-në dhe Serbinë duket sikur gjërat nuk janë më mirë. Ndërkohë që Kosova është një shtet i pavarur. Nuk ka më kthim pas. Sa më shpejt që serbët të kuptojnë se duhet ta shikojnë si një fakt të jetës, aq më mirë do të jetë për ta, sepse nuk do të përndiqen më nga kjo fantazmë sa i përket marrëdhënieve në rajon”, tha Rama.




