Ben Blushi zbulon historitë e pazakonta të kryeqytetit: 4 martesa që sollën dinastinë Toptani
Shkrimtari Ben Blushi ka sjellë një tjetër botim, këtë herë duke u kthyer pas në historinë e kryeqytetit shqiptar. Libri i tij më i ri, “Historitë e çmendura të Tiranës”, përmbledh ngjarje dhe personazhe që kanë ndikuar në zhvillimin e qytetit përgjatë katër shekujve, nga viti 1600 deri në vitin 2000.
I ftuar në emisionin “Takohemi n’Vizion”, të moderuar nga Fjodora Fjora, Blushi tregoi se ideja për këtë libër lindi nga kërkimet që kishte bërë për të njohur më mirë historinë e qytetit ku ka jetuar gjithë jetën.
Autori shpjegoi se, ndonëse ka origjinë nga Korça, Tirana është qyteti që njeh më nga afër, pasi aty ka kaluar 57 vite të jetës së tij.
“Unë kam lindur në Tiranë, jam me origjinë nga Korça. Kam kujtime, mund ta bëj një libër për Korçën, por e fillova me Tiranën. E dua shumë. Kam 57 vjet që jetoj këtu. E njoh më shumë se Korçën”, u shpreh Blushi.
Nga 10 faqe të hedhura poshtë te libri i ri
Blushi tregoi se projekti kishte nisur që në vitin 2014, kur u bënë 400 vjet nga themelimi zyrtar i Tiranës. Megjithatë, angazhimet për një tjetër libër e ndërprenë punën, e cila në atë kohë kishte mbërritur vetëm në 10 faqe.
Rikthimi te projekti ndodhi këtë vit. Shkrimtari tha se nuk ishte i kënaqur me materialin e vjetër, ndaj vendosi ta hidhte poshtë dhe ta niste gjithçka nga e para.
“Më 1 janar e lexova atë që kisha shkruar dhe s’më pëlqeu fare. E grisa dhe fillova ta rishkruaja nga e para. Të nesërmen, më 2 janar, vendosa të rishkruaja historinë e Tiranës”, tregoi ai.
Puna zgjati 5-6 muaj, me rreth 10 orë angazhim çdo ditë. Rezultati është një libër me 38 kapituj dhe afërsisht 100 personazhe realë, të cilin Blushi e përshkruan si një vepër të ndërtuar në formën e një seriali.
“Është një libër i shkruar si Netflix. Ka 38 kapituj që lexohen më vete”, tha shkrimtari.
Katër martesa në një ditë dhe lindja e dinastisë Toptani
Një nga historitë më të pazakonta që Blushi veçon në libër lidhet me konfliktet mes dy fiseve që, sipas rrëfimit të tij, kishin ndikim në fatin e Tiranës.
Ai tregon se përplasjet mes tyre kishin sjellë pasoja për jetën ekonomike dhe shoqërore të qytetit, ndërsa zgjidhja e konfliktit erdhi përmes një marrëveshjeje martesore të pazakontë.
Sipas autorit, dy fiset vendosën të lidheshin përmes katër martesave, ku katër motra u martuan me katër vëllezër brenda së njëjtës ditë.
“Për krijimin e Tiranës ziheshin dy fise. Në kohën që këto dy fise grindeshin, Tirana vuante shumë, biznesi ra, burrat vriteshin, lindnin më pak fëmijë. Më në fund, duhet të gjenin paqe dhe çfarë bënë? Martuan katër motra me katër vëllezër. Ndodhën katër martesa brenda një dite dhe kjo është unike”, rrëfeu Blushi.
Sipas tij, nga këto lidhje familjare u krijua një dinasti e fuqishme, ajo e Toptanasve, të cilët autori i lidh me drejtimin e Tiranës për rreth 400 vjet.
Blushi theksoi se libri nuk synon të jetë një histori tradicionale apo një studim akademik, pasi vetë ai nuk është historian. Qasja e tij është përqendruar te ngjarjet që i ka konsideruar të veçanta, personazhet dhe episodet që, sipas tij, janë pak të njohura për publikun.
Përmes këtij botimi, shkrimtari synon të sjellë një këndvështrim tjetër mbi të kaluarën e kryeqytetit, duke nxjerrë në pah episode që kanë ndikuar në shndërrimin e Tiranës nga një qendër e vogël në kryeqytetin e Shqipërisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



