Lajmi i fundit

TASK FORCE/ A-SPAK drejtësi për korrupsionin e Ramës

Korrupsioni dhe protestat në Parlamentin Europian/ Zhulali: Gahler kërkoi qeveri kujdestare për zgjedhje të lira

18:27, 10/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në një lidhje Skype në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në Syri TV, ekspertja e çështjeve ndërkombëtare, Ilda Zhulali komentoi diskutimet në Parlamentin Europian për situatën politike në Shqipëri, duke u ndalur te korrupsioni, protestat dhe propozimi për një qeveri kujdestare.

Zhulali tha se korrupsioni dhe protesta ishin dy temat kryesore të diskutimit, ndërsa theksoi se eurodeputeti Michael Gahler kërkoi një zgjidhje konkrete për krizën politike, duke hedhur në tryezë krijimin e një qeverie kujdestare për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të barabarta.

Zhulali theksoi gjithashtu se deklaratat e Gahlerit për korrupsionin dhe pastrimin e parave përbëjnë një pranim të përgjegjësisë edhe nga vetë aktorët europianë, të cilët deri më tani kanë treguar indiferencë ndaj situatës në Shqipëri.

Gjithashtu nënvizoi se propozimi për qeveri kujdestare tashmë është artikuluar në Parlamentin Europian dhe mund të pasohet nga angazhimi i Komisionit Europian dhe vendeve anëtare për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën politike në vend.

Pjesë nga intervista:

Po, gjëja e parë, po ta shikosh atë seancë nga fillimi deri në fund, kryefjala aty ka qenë korrupsioni, i cili është përmendur pothuajse në fjalën e të gjithëve, dhe kanë thënë që për sa kohë korrupsioni mbetet një sfidë e vërtetë në Shqipëri, në një farë mënyre ka zhvendosur edhe atë vëmendjen nga suksesi i SPAK-ut dhe kemi një ndryshim tonaliteti në të gjithë diskutimet që bëhen në Parlamentin Europian. Kryefjala e dytë ishte protesta.

Pra është një realitet që nuk e fsheh dot më askush, përkundrazi ishte e pranishme në fjalët e të gjithëve. Dhe ajo që tha më pas Michael Gahler që kërkon një zgjidhje, pra si shkohet drejt zgjidhjes së kësaj situate. Nuk mjafton që Bashkimi Europian të thotë vetëm cilat janë standartet, sepse Shqipëria këto i dinte.

Tani është koha për t'u përfshirë edhe Parlamenti Europian, edhe aktorë të tjerë përmes zgjidhjeve, dhe një nga këto zgjidhje ose e vetmja që u shtrua në fakt në atë tryezë ishte vendosja e një qeverie kujdestare që do të përgatiste vendin për zgjedhje të lira dhe të barabarta. Thënë kjo nga Michael Gahler që ishte po ashtu kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian që vëzhgoi zgjedhjet këtu dhe që ka marrë edhe një pozicion të veçantë në raport me Shqipërinë, duke i ndjekur më nga afër zhvillimet këtu, besoj që kjo do të kontribuojë për vendosjen në lëvizje të një ingranazhi edhe brenda Parlamentit Europian, por dhe në raport me Komisionin dhe me vendet anëtare për realizimin e kësaj në Shqipëri.

Shiko e para thashë, është fakti që protesta gjen jehonë në Parlamentin Europian, dhe jo vetëm thjesht si një protestë që është e lidhur me një çështje periferike apo të izoluar siç nisi në fillim, por që është një akumulim i pakënaqësisë popullore që ka zbritur në rrugë, dhe kjo ishte e qartë për të gjithë të pranishmit aty, pra ka zbritur realisht siç është, e gjithë fotografia dhe përmbajtja e protestës në Bruksel. Kjo është shumë e rëndësishme.

E dyta është ajo që vetë Michael Gahler tha, që nuk e kuptoj arsyen sepse kemi mbyllur sytë deri tani për nivelin e korrupsionit në Shqipëri, dhe jo vetëm për të, sepse përmendi dhe çështjen e pastrimit të parave, por tregon edhe një farë "mea culpa", pranim faji edhe për vetë të gjithë interlokutorët nga ana e BE-së, përfshirë Parlamentin Europian, të cilët kanë refuzuar ta shikojnë situatën në Shqipëri, sepse kjo protestë nuk shpërtheu nga asgjëja. Pra ata vetë në një farë mënyre pranojnë që janë treguar indiferentë ndaj gjithë kësaj situate të rëndë të krijuar prej kohësh këtu, duke na paraqitur në fakt një situatë krejt tjetër, duke thënë që Shqipëria është një vend parajsë që po shkon drejt Bashkimit Europian me shpejtësi.

Fakti që situata në terren është krejtësisht në mospërputhje me këtë fotografi që është shitur deri vonë edhe nga Komisioni Europian, dhe tani ka ardhur në pikën që duhet gjetur një zgjidhje. Në qoftë se deri më parë vetë Partitë Popullore Europiane kanë pranuar edhe përmes rezolutave të ndryshme që një qeveri teknike ose kujdestare do të mund të ishte zgjidhje, tani fakti është që kjo zgjidhje hidhet në tryezë edhe në Parlamentin Europian, edhe formalisht, dhe më pas do të ndjekë edhe një rrugë tjetër edhe në marrëdhënie me Komisionin Europian, dhe duke përfshirë angazhimin e deputetëve të ndryshëm, eurodeputetëve apo personaliteteve të tjera nga Bashkimi Europian që mund të ofrohen si ndërmjetës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco