Historia e 17-vjeçarit Erind Goçlari, i cili u gjobit me 5 milionë lekë të vjetra pas protestës së 7 nëntorit në Tiranë, ka prekur shumë qytetarë.
Pas publikimit të kushteve të vështira ekonomike në të cilat jeton, dhjetëra mijëra euro janë mbledhur në ndihmë të tij dhe familjes.
Erindi jeton së bashku me babanë, motrën dhe vëllanë. Nëna e tij ka ndërruar jetë, ndërsa familja përballet me vështirësi të mëdha ekonomike. Sipas rrëfimit të 17-vjeçarit, të ardhurat e tyre janë të pamjaftueshme për të përballuar nevojat e përditshme, ndërsa babai nuk ka mundësi të punojë.
Rasti u bë publik pasi i mituri tregoi se ishte gjobitur me 5 milionë lekë të vjetra pas protestës së zhvilluar para Kryeministrisë kundër Ramës.
Ai deklaroi se nuk kishte mundësi ta paguante këtë shumë dhe se familja e tij mezi përballonte jetesën.
Pas publikimit të historisë, për Erindin u hap një fushatë në platformën GoFundMe, me qëllim mbledhjen e parave për ndërtimin e një shtëpie të re për të dhe familjen e tij.
Fushata mori një mbështetje të madhe brenda pak orësh. Fillimisht objektivi ishte mbledhja e 101 mijë eurove, por kontributet e qytetarëve e tejkaluan këtë shumë, duke arritur në mbi 120 mijë euro.
Mbështetja e qytetarëve vjen në një kohë kur 17-vjeçari dhe familja e tij përballen jo vetëm me vështirësitë ekonomike, por edhe me pasojat e gjobës së vendosur pas protestës.












