Protestat në Shqipëri dhe ato në vendet evropiane, ku ndryshojnë? Rama flet në “Forumin e Paqes” në Paris

Kryeministri Edi Rama, i cili këtë të martë mori pjesë në “Forumin e Paqes” në Paris, pati edhe një bashkëbisedim, ku foli për të ardhmen e Shqipërisë në BE dhe të brezit të ri.
I pyetur nga moderatorja se ku ndryshojnë protestat në Shqipëri nga ato në vendet e tjera të BE-së, Rama tha se në vendin tonë protestat e qershorit nuk kanë më asgjë të përbashkët me atë që po zhvillohet aktualisht.
Sipas tij, dhuna jo vetëm në Shqipëri, por kudo, është e papranueshme.
Rama tha se sot duket sikur ka një përplasje mes botës reale dhe asaj të rrjeteve sociale.
Pjesë nga diskutimi:
Pyetje: Zoti kryeministër, në Shqipëri, ashtu si edhe në vende të tjera evropiane, të rinjtë po demonstrojnë në rrugë. Çfarë kanë të përbashkët këto protesta dhe çfarë është unike për ato që kanë nisur në Shqipëri?
Rama: Në rastin tonë, protestat kanë veçantitë e tyre. Në të njëjtën kohë, do të bëja një dallim mes asaj që ka ndodhur në fillim, pra në manifestimet masive të qershorit, ku pati një numër mjaft të madh njerëzish që vinin nga të gjitha fushat e jetës dhe shprehnin shqetësime, të cilat erdhën si rrjedhojë e projektit që lidhet me Jared Kushner, pra dhëndrin e Donald Trump. Ishte si një lloj shenje apo flamuri i kuq që nxiti këtë zemërim në qytetin tonë.
Nga kjo pastaj mbeti një numër i vogël protestuesish që përshkallëzuan në dhunë, që nuk ka të bëjë aspak me atë që ishte protesta në fillim fare.
Është një situatë komplekse në mbarë Evropën. Do ta përkufizoja si përplasje mes jetës reale dhe botës së medias sociale, ku shumë të rinj marrin informacionin dhe dezinformacionin, apo edhe përshkallëzimin që janë të papranueshme në një shoqëri demokratike.




