Zvicër: 38% e të diplomuarve në zanate vazhdojnë shkollimin dhe marrin një diplomë të nivelit të lartë

Nga 47 mijë e 595 persona që në vitin 2012 përfunduan një formim profesional me certifikatën federale të aftësisë (EFZ), pa maturë profesionale, gjithsej 18 mijë e 287 prej tyre arritën të marrin një diplomë më të lartë deri në vitin 2024.
Nga personat që vazhduan shkollimin, 15% fituan një diplomë profesionale federale, 12% përfunduan studimet në shkollat e larta profesionale, ndërsa 9% morën diplomë bachelor në universitetet e shkencave të aplikuara ose në universitetet pedagogjike. Rreth 80% e atyre që nisën një shkollim të tillë arritën ta përfundonin me sukses.
Të dhënat tregojnë se mundësitë për vazhdimin e shkollimit ndryshojnë edhe sipas profesionit, shkruan NAU.ch, transmeton Telegrafi.
Përqindja më e lartë është te personat e punësuar në fushën e kujdesit shëndetësor, ku 59% arritën një diplomë të nivelit terciar, ndërsa në kontabilitet dhe marketing kjo përqindje ishte 51%.
Ndikim në vazhdimin e shkollimit ka edhe prejardhja familjare. Kur të paktën njëri nga prindërit kishte diplomë të nivelit terciar, përqindja e fëmijëve që arritën një diplomë të tillë kalonte 50%.
Ndërkaq, te personat prindërit e të cilëve nuk kishin përfunduar ndonjë shkollim pas atij të detyrueshëm, kjo shifër ishte vetëm 27%.
Sipas të dhënave, dallime vërehen edhe sipas gjinisë: 42% e burrave dhe 34% e grave me certifikatë EFZ arritën të përfundojnë një shkollim të nivelit terciar brenda periudhës së analizuar.

































