Libri në krizë, Baro: Të rinjtë nuk duan të lexojnë! Shkreli: Rrjetet sociale po fitojnë garën për vëmendje

A po e humbasin të rinjtë interesin për librin në një kohë kur rrjetet sociale dhe teknologjia po zënë gjithnjë e më shumë hapësirë në përditshmërinë e tyre?
Kjo ishte një nga temat e diskutuara në studion e emisionit “Takohemi n’Vizion” nën moderimin e Fjodora Fjorës.
Përkthyesja Aida Baro u shpreh se kriza e librit është një problem që diskutohet prej vitesh, por që, sipas saj, po thellohet gjithnjë e më shumë, veçanërisht në Shqipëri. Ajo theksoi se të rinjtë janë gjithnjë e më të përqendruar te teknologjia dhe se pas moshës 12-vjeçare interesi për leximin bëhet më i vështirë për t’u ruajtur.
Sipas Baros, shqetësues nuk është vetëm fakti që të rinjtë lexojnë më pak, por edhe mënyra se si lexojnë dhe përzgjedhja e librave që bëjnë.
Aida Baro solli në vëmendje përvojën e saj nga takimet në shkolla, ku, sipas saj, ka hasur të rinj që shprehen hapur se nuk duan të lexojnë. Ajo vuri në dukje se kjo prirje është veçanërisht e dukshme te djemtë.
“Ka shumë vite që themi se libri është në krizë. Kriza po vjen duke u thelluar, sidomos në Shqipëri. Të rinjtë janë të dhënë pas teknologjisë. Deri në moshën 12-vjeçare edhe lexohet, por më vonë është më e vështirë. Ndihet mungesa jo vetëm te mosleximi, por edhe te mënyra se si lexojnë dhe çfarë lexojnë të rinjtë. Unë kam shkuar në shkolla dhe të rinjtë e sotëm thonë, sidomos meshkujt: Nuk duam të lexojmë”, tha Baro.
Nga ana tjetër, Anna Shkreli, kryeredaktore letrare, u ndal te shtyrja e Panairit të Librit, duke e cilësuar vendimin si të paarsyetuar dhe të pashpjeguar.
“Ishte një vendim ende i pashpjeguar ai i shtyrjes së Panairit të Librit. Nuk ishte një vendim i arsyetuar. Situata është e tillë në të gjithë botën, ku ka rënie të lexueshmërisë. Libri është pak më në disfavor. Garën për vëmendje po e fitojnë rrjetet sociale”, u shpreh Shkreli në Vizion Plus.
Ndërsa shkrimtari Albi Lushi kundërshtoi idenë se rrjetet sociale janë konkurrenca e drejtpërdrejtë e librit. Sipas tij, një libër konkurron me një libër tjetër dhe jo me mediat sociale, të cilat mund të shërbejnë edhe si mjete në funksion të promovimit të leximit.
Ai theksoi se lexues i mirëfilltë është ai që lexon në mënyrë sistematike, duke shtuar se problemi nuk lidhet domosdoshmërisht me kohën që jetojmë, por me mungesën e dëshirës për të lexuar.
“Libri nuk konkurron me askënd, përveç librit. Një libër konkurron me një libër tjetër. Media sociale është media sociale. Madje, media sociale dhe ekrani duhet të jenë në shërbim të librit. Lexues, nëse nuk je sistematik, nuk quhesh. Nuk është çështja te koha, por te fakti që nuk duan të lexojnë”, u shpreh Lushi.
I pyetur nëse të ardhurat që siguron si shkrimtar i mjaftojnë për të bërë një jetë të mirë, Albi Lushi u përgjigj me humor: “Po, po! Madje, unë them: Çfarë do të bëj me tepricat?”
Ndërkohë, shkrimtarja Lidia Sula, e pyetur nga moderatorja Fjodora Fjora nëse sot ka më pak dëshirë për të shkruar, u përgjigj se dëshira mbetet, por sfidë janë mundësitë që kanë shkrimtarët.
“Dëshira është akoma, por mundësitë që ata kanë… Të duash të shkruash është esenciale për këdo, është një mënyrë e të shprehurit”, u shpreh Sula.
/vizionplus.tv




