E martë, 10 Nëntor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Përplasje për buxhetin e BE, katër vende kundërshtojnë kërkesën e Merz për ndihmë financiare ndaj Ukrainës

Një përplasje e re ka shpërthyer brenda Bashkimit Evropian lidhur me buxhetin afatgjatë të unionit dhe mbështetjen financiare për Ukrainën. Sllovakia, Çekia, Hungaria dhe Bullgaria kanë kundërshtuar kërkesën e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, i cili kërkon që miratimi i buxhetit të ardhshëm shumëvjeçar të BE-së të kushtëzohet me sigurimin e një pakete të re financiare për Kievin.

Kryeministri sllovak, Robert Fico, e ka cilësuar këtë kërkesë si një rast tipik shantazhi, duke paralajmëruar se vendi i tij mund të përdorë të drejtën e vetos.

“Ne kemi të drejtë të barabartë në këtë çështje. Ashtu siç zoti Merz flet për përdorimin e vetos, edhe unë mund të them të njëjtën gjë. Ne kemi të njëjtën të drejtë vetoje si kancelari federal gjerman”, deklaroi Fico të martën, gjatë takimit me homologun e tij çek, Andrej Babiš, në Bratislavë.

Nga ana e tij, kryeministri çek ironizoi qëndrimin e Merzit, duke deklaruar se kancelari gjerman ndoshta nuk e ka parasysh faktin se projektbuxheti i propozuar i BE-së parashikon tashmë 100 miliardë euro për Ukrainën. Megjithatë, këto fonde nuk do të jenë të disponueshme deri në vitin 2028, ndërkohë që Kievi përballet me një mungesë financiare prej rreth 70 miliardë eurosh për vitin e ardhshëm.

Reklamë

“E sotmja nuk do të jetë një ditë e zakonshme pune. Sot duhet t’i përgjigjemi shantazhit”, u shpreh Fico, duke kundërshtuar hapur qëndrimin e kancelarit gjerman.

Merz e ka përforcuar qëndrimin e tij përmes një letre drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, ku thekson se sigurimi i ndihmës së re për Ukrainën është një kusht thelbësor për miratimin e buxhetit të ardhshëm të BE-së. Në këtë mënyrë, dy çështje të ndjeshme politike dhe financiare janë lidhur drejtpërdrejt me njëra-tjetrën, ndërkohë që miratimi i të dyjave kërkon unanimitet mes vendeve anëtare.

Brukseli ka premtuar të mbulojë rreth dy të tretat e nevojave financiare të Ukrainës, përkatësisht rreth 45 miliardë euro nga deficiti prej 70 miliardësh. Për këtë qëllim ende nuk është përcaktuar një mekanizëm konkret financiar, ndërsa si alternativë kryesore po shqyrtohet krijimi i një skeme të re të borxhit të përbashkët evropian.

Kjo ndihmë do t’i shtohej kredisë ekzistuese prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, nga e cila Sllovakia, Çekia dhe Hungaria kanë siguruar përjashtime.

“Në mbështetje të Ukrainës qëndron siguria e përbashkët dhe e pandashme e Evropës. Për rrjedhojë, edhe barra financiare e kësaj mbështetjeje duhet të ndahet mes të gjithëve”, shkruan Merz në letrën e tij.

Ndërkohë, kancelari gjerman ka pritur të martën në Berlin kryeministrin hungarez, Péter Magyar, vetëm një ditë pasi letra e tij u bë publike.

Pas takimit, Magyar bëri të qartë se nuk e mbështet lidhjen e buxhetit të BE-së me ndihmën për Ukrainën, duke argumentuar se këto janë dy çështje të ndryshme, të cilat duhet të trajtohen veçmas.

Ai u shpreh se nuk e konsideron të nevojshme përdorimin e termit “shantazh”, siç kishte bërë më herët homologu sllovak, Robert Fico, por paralajmëroi se kjo qasje mund të përcjellë një mesazh jo të mirë.

Magyar theksoi gjithashtu se Hungaria nuk mund të angazhohet për marrjen e borxhit të ri në nivel evropian, pasi vendi po përpiqet të kontrollojë deficitin e lartë publik.

Megjithatë, ai shprehu bindjen se palët do të arrijnë një marrëveshje për buxhetin e ardhshëm të unionit, përmes negociatave në Berlin, Dublin dhe Bruksel.

Edhe kryeministri bullgar, Rumen Radev, ka kërkuar që vendi i tij të përjashtohet nga linjat e ardhshme të kreditimit për Ukrainën, duke iu referuar niveleve të larta të deficitit buxhetor. Gjatë një deklarate në Varna, ai theksoi se Bullgaria do të vijojë ta mbështesë Ukrainën përmes formave të tjera, përfshirë furnizimet me energji.

“Bullgaria nuk po pengon në asnjë mënyrë vendimet e marra në nivel të Këshillit, të cilat synojnë që të gjitha vendet të kontribuojnë në mbështetjen e Ukrainës sipas mundësive të tyre”, deklaroi Radev.

Sllovakia, Çekia, Hungaria dhe Bullgaria janë pjesë e grupimit të njohur si “Miqtë e Kohezionit”, i përbërë nga 17 vende, të cilat kërkojnë ruajtjen e fondeve për kohezionin dhe bujqësinë në buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të BE-së.

Ky qëndrim i vendos ato në kundërshti me vendet që njihen si “kursimtarët”, të cilat kërkojnë uljen e shpenzimeve të përgjithshme të unionit. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe disa prej kontribuuesve më të mëdhenj në ndihmën financiare për Ukrainën, si Gjermania.

Këto vende kundërshtojnë faktin që Sllovakia, Çekia, Hungaria dhe Bullgaria kërkojnë të përjashtohen nga detyrimet e reja financiare për Ukrainën, ndërkohë që vijojnë të kërkojnë ruajtjen e fondeve të kohezionit.

Duke folur në krah të kryeministrit hungarez në Berlin, kancelari Merz përsëriti se mbështetja për Ukrainën duhet të shpërndahet në mënyrë më të drejtë mes vendeve anëtare.

“Shtetet evropiane nuk mund të vazhdojnë në këtë mënyrë. Politika e mbështetjes ndaj Ukrainës duhet të përfshihet plotësisht në buxhetin e Bashkimit Evropian”, deklaroi Merz.

Ai pranoi se të paktën katër vende kanë një qëndrim të ndryshëm, por theksoi se dialogu dhe negociatat mbeten të domosdoshme për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.