Bota

Claude ekspozon të dhëna sekrete/ Mbi 100 mijë skedarë në internet, mes tyre fjalëkalime dhe të dhëna private

Një problem sigurie i Claude Code, asistenti i programimit të inteligjencës artificiale të kompanisë Anthropic, ka bërë që mbi 100 mijë dokumente të përfundojnë të ekspozuara në internet, mes tyre edhe më shumë se 1 mijë raste passëord-esh dhe të dhënash private të kompanive.

Ngërçi u zbulua nga kompania e sigurisë kibernetike Apiiro, e cila e lidhi me mënyrën se si programi ruan automatikisht preferencat dhe autorizimet e përdoruesve. Problemi shfaqet kur file-t që përmbajnë këto të dhëna kopjohen ose konfigurohen në pajisje të tjera, duke bërë që informacionet konfidenciale të publikohen pa mbrojtje në internet, përfshirë platformën GitHub, ku programuesit dhe kompanitë ruajnë dhe organizojnë kodet e programeve, aplikacioneve dhe projekteve të tyre teknologjike. Sipas ekspertëve, rreziku është edhe më i madh pasi të dhënat e publikuara mund të mbeten të aksesueshme online edhe nëse skedarët origjinalë fshihen nga pajisja.

Claude Code është projektuar të kryejë detyra programimi në mënyrë autonome, duke lexuar, planifikuar dhe ekzekutuar veprime pa pasur nevojë për mbikëqyrje të vazhdueshme njerëzore. Megjithatë, ky incident ngre shqetësime të reja mbi sigurinë e mjeteve të inteligjencës artificiale dhe mbrojtjen e të dhënave sensitive.

Nga ana e tij, Anthropic ka bërë të ditur se është në dijeni të problemit dhe se po punon për një zgjidhje që do të parandalojë ekspozimin e mëtejshëm të informacioneve private.