Kongo dënon me vdekje 66 ushtarë, akuzohen si frikacakë

Të paktën 66 ushtarë janë dënuar me vdekje në Republikën Demokratike të Kongos, pasi u shpallën fajtorë për frikacakëri, kryengritje dhe refuzim të zbatimit të urdhrave ushtarakë, raportojnë mediat lokale.
Dënimet u dhanë pas gjykimit të 71 ushtarëve përpara një gjykate ushtarake në pjesën lindore të vendit, ku prej vitesh vijojnë përplasjet e armatosura. Katër ushtarë u shpallën të pafajshëm, ndërsa një tjetër u dënua me 10 vite burg.
Sipas ushtrisë, procesi gjyqësor synon të forcojë disiplinën në radhët e forcave të armatosura, të cilat po luftojnë kundër grupeve të armatosura në lindje të vendit.
Në këtë rajon, konfliktet mes forcave qeveritare dhe Frontit për Rindërtimin e Kombit (FRN), një koalicion rebelësh ku bën pjesë edhe grupi M23, vijojnë prej dekadash.
Sipas informacioneve të publikuara, ushtarët u arrestuan më 20 tetor. Ata akuzohen se braktisën pozicionet e tyre dhe u larguan nga fronti gjatë përleshjeve me luftëtarët e FRN-së.
Disiplina në ushtri, një problem i vazhdueshëm
Siç raporton BBC, rastet e mosbindjes dhe çorganizimit në radhët e ushtrisë së rregullt janë të shpeshta. Ushtarët ankohen gjithashtu për pagat e ulëta dhe mungesën e pajisjeve të nevojshme ushtarake.
Vetëm gjatë muajit tetor, 27 ushtarë të tjerë u dënuan me vdekje për akuza të ngjashme, pasi ishin tërhequr nga vijat e para të frontit gjatë luftimeve me rebelët.
Kongo riktheu dënimin me vdekje pas 20 vitesh moratorium
Në mars të vitit 2024, Republika Demokratike e Kongos hoqi moratoriumin 20-vjeçar për zbatimin e dënimit me vdekje, duke argumentuar se kjo masë ishte e nevojshme për të larguar nga ushtria ata që autoritetet i cilësonin si “tradhtarë”.
Sipas të dhënave të mbledhura nga radioja dhe televizioni francez RFI, që nga fillimi i vitit 2025 të paktën 507 ushtarë janë dënuar në vend, prej të cilëve 381 me vdekje.
Shifrat tregojnë ashpërsimin e masave ndaj ushtarëve në një kohë kur ushtria kongoleze përballet me vështirësi të mëdha në luftën kundër grupeve të armatosura në lindje të vendit.




