I paskrupullt ky lloj administrimi i debatit publik, si piruetë e shkalafitur që të fyen inteligjencën.
Si kaluam kaq kollaj nga “si rrëzohet Rama?” tek “kandidatët dhe formula për zgjedhjet lokale?”. Sido a sado ta rrotullosh ka një kufi edhe pragmatizmi politik dhe atë e ka vendosur protesta që po e paguan me sytë e ballit, këmbët e thyera, arrestimet si rrëmbime, gjobat, kërcënimet.
Si mund të pretendosh se jeton në regjim që ka industrializuar manipulimin zgjedhor e ta reduktosh betejën politike te formula me të cilën do të ndahen mandatet???
Vota nuk është e lirë. Pikë. Proporcional kombëtar, lista të hapura, kod zgjedhor sado të ndryshojnë, janë dytësore karshi faktit se ky pushtet vjedh zgjedhjet, mban peng rotacionin, ia ka marrë shpirtin votës. Aritmetika do ta shpëtojë demokracinë këtu?
Po aq aritmetik, elementar fare është edhe ndryshimi mes një beteje për të ndryshuar sistemin dhe një beteje për të përmirësuar pozicionin brenda tij. I pari u kërkon partive opozitare veç bashkim, pa asnjë kosto, duke u hapur garën të synojnë edhe pushtet. I dyti u kërkon veç egoizëm me pritshmëri meskine, me shumë kosto për vendin, duke i shpërblyer me ndonjë mandat, ndonjë financim publik dhe mbijetesë politike në opozitë të përhershme.
Është thelluar aq shumë hendeku mes asaj që kërkon protesta, largimin e Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe asaj që u kënaq pritshmëritë partive politike sa po qartësohen boll mirë dy koncepte të papajtueshme të opozitarizmit.
Dhe partitë e vogla duhet të vendosin më në fund çfarë duan të jenë, pjesë e një përpjekjeje për të ndryshuar pushtetin apo aksionerë minoritarë të status quo-së. Ambicia për përfaqësim është legjitime, patjetër. Ama kur bëhet më urgjente se liria e votës të sjell zorrët në fyt.
Vështirë shumë të ngatërrosh në këto kohë vogëlsinë elektorale me pafajësinë politike. Mund të kesh vetëm 1% të votave dhe 100% të përgjegjësisë për çfarë legjitimon.
Një regjim, një narkoshtet.



