Elton Qyno – Syri.net
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 20 vite burgim të Filip Shehut, i cili akuzohet për veprën penale të “Vrasjes me dashje” në dëm të viktimës Indrit Islamllari, që punonte si picier në të njëjtin lokal ku punonte edhe autori i krimit.
Ngjarja e rëndë është shënuar më 28 tetor 2025, ku në ambientet e lokalit viktima Islamllari dhe autori i krimit, Filip Shehu, janë konfliktuar me njëri-tjetrin për motive krejtësisht banale.
Kjo ka sjellë më pas sulmin me thikë të Filip Shehut drejt të riut Islamllari, i cili, për shkak të plagëve të marra, ka ndërruar jetë menjëherë. Autori i krimit nuk u largua nga lokali, por priti aty derisa mbërriti policia e Tiranës, e cila më pas bëri edhe arrestimin e tij.
Kjo vrasje u hetua nga prokurori Gëzim Veizi, i cili, në fund të procesit me gjykim të shkurtuar, kërkoi që gjykata ta deklarojë fajtor dhe ta dënojë me 20 vite burgim autorin e krimit, Filip Shehu.
Por ky dënim do të ulet në masën 1/3 për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar.
Sipas dosjes hetimore, Filip Shehu, autori i vrasjes së picierit Indrit Islamllari, kishte disa kohë që kurohej nga një psikolog në Tiranë, për shkak të gjendjes depresive që po kalonte.
Shehu konsumonte ilaçe për përmirësimin e memories dhe ilaçe antidepresive, ndërkohë që punonte edhe si përgatitës i brumit të picave, pikërisht në picerinë ku ndodhi ngjarja e rëndë e vrasjes së Indrit Islamllarit.
Autori i krimit kishte vetëm 7 muaj që ishte i punësuar te restoranti “City Lounge”, si picier dhe përgatitës brumi. Konflikte ka pasur herë pas here me Indrit Islamllarin, i cili shpeshherë e ofendonte dhe e tallte.
Edhe ditën e ngjarjes, Indriti e ka fyer rëndë, duke i thënë: “…Unë të q.. rropt…”. Fyerje kjo që ka sjellë nxehjen e Filip Shehut, i cili ka rrëmbyer një thikë dhe më pas e ka qëlluar disa herë Indritin në gjoks dhe bark, duke e lënë të vdekur në vend.
Gazetari i “Syri.net”, Elton Qyno, ka mundur të sigurojë dëshminë e plotë të Filip Shehut, i cili, ndër të tjera, ka treguar se bashkë me të në picerinë e këtij restoranti punojnë edhe Indrit Islamllari, si dhe Arturi, por mbiemrin nuk ia di, të cilët ai i ka gjetur në këtë restorant si punonjës.
Filip Shehu zakonisht e fillon punën në orën 13:00 dhe punon deri në orën 23:00. Marrëdhënia e tij me picierin tjetër, Arturin, ka qenë gjatë tërë kohës shumë e mirë dhe normale dhe nuk kanë pasur kurrë asnjë lloj konflikti apo mosmarrëveshjeje me njëri-tjetrin.
Për sa i përket picierit tjetër, Indritit, muajt e parë marrëdhënia e tyre ka qenë normale dhe nuk kanë pasur me njëri-tjetrin asnjë lloj konflikti.
Gjatë këtyre 2-3 muajve të fundit para vrasjes, Indriti, gjatë punës, ka nisur ta shqetësojë dhe fyejë në shumë raste, për shkak se ai kërkonte që ata të bënin gjëra në punë sipas dëshirës së tij dhe jo sipas porosive që kishin marrë nga pronari dhe menaxheri në lidhje me mbarëvajtjen e punës.
Shpeshherë këto fyerje nga ana e tij kanë arritur në sharje të rënda, por ai vazhdimisht është shmangur, duke mos dashur të agravojë situatën, dhe ka bërë sipas kërkesave të Indritit.
Këtë marrëdhënie dhe mënyrë sjelljeje, Indriti e ka pasur jo vetëm me të, por krijonte debate dhe fyente edhe Arturin, si dhe pjesëtarë të tjerë të stafit të restorantit.
Shpeshherë, gjatë kësaj sjelljeje që bënte Indriti me të dhe pjesën tjetër të stafit, prezentë kanë qenë edhe menaxherja, si dhe pronari i restorantit, të cilët i kanë tërhequr vëmendjen atij.
Ditën e ngjarjes, më 28 tetor 2025, Filip Shehu tregon se ka shkuar në punë si zakonisht, rreth orës 13:00, dhe sapo është paraqitur në punë ka nisur me përgatitjen e përbërësve të picave dhe brumit.
Indriti ka ardhur në punë rreth orës 14:00 dhe sapo ka ardhur, ata kanë nisur të punojnë, pasi kishin porosi për të pjekur pica.
Rreth orës 15:30, një punonjëse e kuzhinës, e cila quhet Zamira, ka kërkuar që të merrte nga ata proshutë krudo për të përgatitur disa antipasta, për të cilat kishte porosi në restorant.
Indriti i tha: “…Nuk ka, prije vetë…”.
Zamira i ka thënë Indritit: “…Se nuk di ta pres vetë mishin e krudos, sepse ishte i paprerë fare…”.
Këtë bisedë e dëgjoi edhe Filip Shehu, i cili ndërhyri dhe i tha Indritit që: “…Do ia jap unë, se do e pres vetë…”.
Indriti i ktheu përgjigje dhe i tha fjalët: “…Jo, s’ke për t’i dhënë…”.
Filipi i tha me fjalët: “…Unë krudon e pres vetë dhe do ia jap…”.
Dhe ndërkohë shkoi të merrte vasketën me mishin krudo dhe e solli mbi banak dhe nisi të priste disa gjëra. Indriti, kur pa mishin, i tha përsëri: “…Jo, s’ke për t’ia dhënë…”, dhe i foli me ton të ashpër.
Filipi e ka marrë proshutën krudo që kishte dhe, siç kanë vepruar përherë më parë, ka dashur t’ia japë Zamirës. Në atë moment ka ndërhyrë Indriti, duke e marrë me forcë dhe duke e tërhequr vasketën me proshutë, duke i thënë të mos ia jepte, se e dinte ai.
Shehu i ka thënë që ata e kanë bërë përherë këtë veprim, që u japin proshutë kur u duhet, por ai i tha që e di ai vetë, s’ka për t’ua dhënë, dhe e ka sharë duke i thënë: “…Unë të q.. rropt…”.
Në këtë moment, pasi Indriti e ka sharë, ai e ka humbur kontrollin dhe është ndjerë shumë i ofenduar. Duke qenë se ishte rast i përsëritur, në gjaknxehtësi e sipër ka marrë një thikë, e cila ndodhej në banakun e picerisë, dhe me atë thikë e ka qëlluar Indritin 3 herë në pjesë të ndryshme të trupit të tij.
Pasi e ka qëlluar tre herë, ai e ka lënë thikën te lavamani që ndodhet pranë banakut të picerisë dhe ka shkuar të ndërrohet në tualet, ku ka qëndruar në pritje të policisë.
Ai shprehet shumë i penduar për veprimin që ka kryer, por, duke qenë vazhdimisht i fyer nga Indriti, ai e ka humbur kontrollin dhe ka reaguar duke marrë thikën dhe duke e qëlluar atë.
Pas ngjarjes, ai ka shprehur pendesë të thellë për veprimin e kryer dhe mendon që më e mira do të ishte që ai të largohej nga puna, më mirë sesa të kryente atë veprim.
Gjithashtu, ai deklaron se prej muajit prill 2025 ka përdorur medikamente për përmirësimin e memories, si dhe antidepresivë, medikamente të cilat ia ka dhënë një mjek psikiatër, të cilit nuk ia mban mend emrin, por klinikën e ka te lulishte “1 Maji”, pranë Urës së Tabakëve.
© SYRI.net
Aksidentoi për vdekje 2 fëmijë në Durrës merret i pandehur Nikoll Radaçi. Pushohet njëra nga akuzat nga ‘Amnistia’
SYRI TV/ Dosja 'Veliaj', GJKKO shpall vendimin më 25 nëntor, SPAK kërkon 7 vite burg për Elman Abulen
SYRI TV/ Gjykata Lezhë rrëzon prokurorinë - Hetim për ndërtimin e 4 HEC-eve në Kaçinar