Rubio: Nuk ka nevojë për luftë të re me Iranin! Katari flet për përparim në negociata

Shtetet e Bashkuara nuk e shohin aktualisht të nevojshme rifillimin e operacioneve të mëdha ushtarake kundër Iranit. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se presioni ekonomik i ushtruar nga Uashingtoni po shkakton pasoja të rënda për Teheranin, duke ulur nevojën për një përshkallëzim të ri ushtarak.
Deklarata u bë pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të G7-ës në Paris, ku Rubio informoi aleatët për strategjinë amerikane ndaj Iranit.
“Fushata ekonomike kundër Iranit është aq shkatërruese saqë në këtë moment nuk ka nevojë për operacione të mëdha ushtarake”, u shpreh Rubio.
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga Reuters, sekretari amerikan argumentoi se sanksionet po kufizojnë aftësinë e Iranit për të financuar aktivitetet e tij në rajon dhe organizatat që mbështet.
Katari: Ka përparim në negociata, por marrëveshja mbetet e pasigurt
Ndërkohë, Katari, i cili po ndërmjetëson mes Uashingtonit dhe Teheranit, ka shprehur optimizëm për ecurinë e negociatave.
Drejtori i Komunikimit në Ministrinë e Jashtme të Katarit, Ibrahim al-Hashimi, deklaroi se është ende herët për të përcaktuar se sa pranë një marrëveshjeje janë dy palët.
Ai e cilësoi pozitiv takimin e së hënës mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit e ministrit të Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, duke theksuar se në bisedimet e ndërmjetësuara nga Doha është shënuar përparim.
Katari ka bërë të ditur se ka marrë përgjigje pozitive nga të dyja palët në përpjekjet për të kapërcyer mosmarrëveshjet.
Pas takimeve në Uashington, kryeministri i Katarit deklaroi se kishte diskutuar me Trump dhe zëvendëspresidentin JD Vance mënyrat për të çuar përpara negociatat me Iranin dhe për të arritur një marrëveshje që do të rikthente paqen në rajon.
Nga ana e tij, Trump e cilësoi bisedën me Al Thanin si të shkëlqyer, duke folur për një dinamikë pozitive drejt përfundimit të konfliktit.
Irani mohon mungesat e produkteve bazë
Në anën tjetër, Teherani po përpiqet të minimizojë ndikimin e bllokadës amerikane në tregun e brendshëm.
Zëdhënësi i zëvendëspresidentit të parë të Iranit, Abbas Pazouki, deklaroi se rezervat e produkteve bazë në vend janë në gjendje shumë të mirë dhe se në disa kategori janë edhe më të larta se përpara vendosjes së bllokadës.
Në një reagim në rrjetin social X, ai pretendoi se furnizimi, mbërritja, zhdoganimi dhe shpërndarja e produkteve kryesore për popullsinë po vijojnë pa ndërprerje.




