
Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa ka zhvilluar një takim me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi. Në fokus të takimit ishte procesi i reformës zgjedhore. Moreira de Sousa theksoi se cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme sa edhe koha kur ajo realizohet, duke nënvizuar rëndësinë e këtij procesi për besimin e publikut, konkurrencën e ndershme dhe integritetin e zgjedhjeve.
“Cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme sa edhe koha kur ajo realizohet. Zhvillova takimin tim të parë me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.
Diskutuam për afatin shumë të ngushtë kohor brenda të cilit duhet të punojë Komisioni, si dhe për çështje që lidhen me fushëveprimin, prioritetet dhe gjithëpërfshirjen e reformës.
Reforma zgjedhore ka të bëjë me besimin e publikut, konkurrencën e ndershme dhe integritetin e zgjedhjeve. Ajo është gjithashtu pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së. Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it kanë qenë prej kohësh të qarta dhe puna e përbashkët e kryer deri më tani duhet të japë rezultate konkrete.
Me vullnet politik dhe dialog të sinqertë nga të gjitha palët, kjo është e arritshme”,-shkruan ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa.
