TVSH 6% për produktet e shportës, eksperti: Ulja e taksës do të reflektohet tek çmimi, do të kontrollohet i gjithë zinxhiri i tregtimit

Ekonomi | 1 minutë më parë

Produktet bazë të shportës ushqimore pritet të kushtojnë më pak nga janari 2027, pas uljes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 20% në 6%.

Sipas ekspertëve, reduktimi i taksës do të ketë efekt pozitiv në çmimet e produkteve, pasi ul koston fiskale që rëndon mbi konsumatorin.

“Besoj se reflektimi do të jetë i menjëhershëm. Është mirë që të mos harrohet se do të ketë ulje. Urojmë që ulja të jetë 12% për secilin nga artikujt bazë ushqimorë, sepse logjika e kërkon që të jetë aq, në mos 14%, të paktën 12% apo 10%, por të mos jetë më pak. Biznesi do të përpiqet ta japë uljen më të vogël. Pastaj do të shohë nëse qeveria është lodhur dhe qytetarët janë mësuar, që çmimet të rriten pak nga pak. Pra, mund të kemi një ulje të fortë në muajin e parë”, u shpreh eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli.

Për sa i përket zbatimit në terren, Çoçoli thotë se kjo bëhet e mund duke kontrolluar çmimin e prodhimit apo importit, atë të shitjes me shumicë, marzhin e fitimit dhe çmimin final në supermarket, nga  Drejtoria e Tatimeve dhe strukturat e mbrojtjes së konsumatorit.

“Qeveria, përmes strukturave të saj të monitorimit, sidomos strukturave tatimore, duhet të bëjë analizën e riskut për çdo lloj biznesi që shet me faturë elektronike, sepse nuk mund t’i kërkosh llogari një biznesi që është informal. Kontrollet, ose ajo që quhet monitorim i vazhdueshëm i kostove të biznesit për 54 artikujt ushqimorë që do të ulen, duhen bërë në mënyrë që të verifikohen kostot reale”, tha ai.

Nga ana tjetër qeveria ka paralajmëruar ngritjen e mundshme të një Bordi të Përhershëm Transparence, të ngjashëm me mekanizmat e përdorur më parë në tregje si ai i hidrokarbureve për të monitoruar reflektimin e uljes së TVSH-së në çmime.

Gazetar: H. Mahmutaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme