
Me rastin e 70-vjetorit të gjimnazit “Aleksandër Moisiu” në Kavajë, Prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, mori pjesë në ceremoninë festive, ku vlerësoi historinë, traditën dhe kontributin e këtij institucioni arsimor në formimin e brezave të tërë. Në fjalën e tij përshëndetëse, Hajdari theksoi se ky jubile nuk përfaqëson thjesht përvjetorin e një shkolle, por 70 vite dije, përkushtim, sakrifica dhe suksese. Ai rikujtoi se historia e gjimnazit nisi në vitin 1956, me vetëm 52 nxënës dhe dy klasa, ndërsa në vitin 1960 dolën 33 maturantët e parë. Nga këto fillime modeste, shkolla u shndërrua në një ndër institucionet e rëndësishme arsimore të Kavajës, duke kontribuar në formimin e qytetarëve dhe profesionistëve të shumtë. Një vëmendje të veçantë në fjalën e tij, Prefekti Hajdari i kushtoi edhe figurës së Aleksandër Moisiut, emrin e të cilit mban gjimnazi, duke e cilësuar atë si një simbol krenarie për Kavajën dhe një urë lidhëse me kulturën evropiane.
Fjala e plotë
Të nderuar drejtues të institucioneve, të nderuar mësues, ish-mësues, prindër dhe nxënës, të dashur të pranishëm, është kënaqësi e veçantë të jem sot mes jush, për të festuar 70-vjetorin e një prej institucioneve arsimore më me traditë të Kavajës, gjimnazit “Aleksandër Moisiu”. Sot nuk festojmë thjesht përvjetorin e një shkolle, por 70 vite dije, përkushtim, sakrifica dhe suksese.
Historia e këtij gjimnazi nisi në vitin 1956, me vetëm 52 nxënës dhe dy klasa. Në vitin 1960 dolën 33 maturantët e parë. Nga ato fillime modeste, shkolla u shndërrua në një institucion të rëndësishëm arsimor, që ka formuar breza të tërë qytetarësh dhe profesionistësh, duke dhënë një kontribut të çmuar për Kavajën dhe Shqipërinë. Të nderuar të pranishëm, kjo shkollë mban me krenari emrin e Aleksandër Moisiut, një prej aktorëve më të mëdhenj të teatrit evropian.
Me talentin, zërin dhe interpretimet e tij të jashtëzakonshme, Moisiu fitoi admirimin e publikut evropian dhe të personaliteteve të shquara të kulturës. Për Kavajën, ai është më shumë se një artist i madh. Është simbol krenarie, një urë lidhëse me kulturën evropiane dhe dëshmi se rrënjët shqiptare mund të nxjerrin personalitete me përmasa botërore. Emri i tij përcjell një mesazh të fuqishëm: Nuk ka rëndësi sa i madh është vendi nga vjen, por sa të mëdha janë ëndrrat dhe përkushtimi yt.
Të dashur nxënës, Ju jeni vazhdimësia e kësaj historie dhe e ardhmja e Kavajës dhe e Shqipërisë. Jetoni në një kohë kur shkenca, teknologjia dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë botën. Por asnjë teknologji nuk mund të zëvendësojë vlerat njerëzore: ndershmërinë, karakterin, respektin dhe dashurinë për vendin.
Mësoni, ëndërroni dhe guxoni të arrini lart, por mos harroni kurrë shkollën, mësuesit dhe qytetin tuaj. Të nderuar mësues, Ju meritoni mirënjohjen tonë më të thellë. Sepse përtej dijes, ju formoni karakterin dhe ndërtoni të ardhmen e shoqërisë sonë. Si Prefekt i Qarkut Tiranë, dua të theksoj se mbështetja e arsimit, siguria dhe krijimi i mundësive për të rinjtë mbeten përgjegjësi e përbashkët e institucioneve tona.
Në këtë jubile, përulem me respekt përpara kontributit të të gjithë brezave të mësuesve, drejtuesve dhe nxënësve që kanë ndërtuar historinë e kësaj shkolle. Dhe dëshiroj ta mbyll me një mendim: Një qytet është krenar për historinë e tij, por të ardhmen e ndërton përmes edukimit të fëmijëve të vet. Gëzuar 70-vjetorin e gjimnazit “Aleksandër Moisiu”! Nderim për mësuesit, suksese nxënësve dhe krenari për Kavajën!




