E di që duhet të flesh, ke vendosur edhe orën e alarmit, por vazhdon të shohësh video, të lexosh mesazhe apo të përfundosh edhe një episod tjetër. Ky zakon njihet si bedtime procrastination, pra shtyrja e qëllimshme e orarit të gjumit, edhe kur nuk ka ndonjë arsye të jashtme që të pengon të flesh. Një studim i publikuar në gusht 2025 në revistën Sleep Medicine ndoqi 119 studentë universitarë për dy deri në katër javë. Studiuesit përdorën aplikacione për të regjistruar planet e tyre për orarin e gjumit dhe pajisje për të matur objektivisht kohën kur flinin. Rezultatet treguan se studentët planifikonin orarin e gjumit mesatarisht më pak se një herë në javë.
Por pjesa më interesante ishte ajo që ndodhte kur studentët vendosnin një orar konkret. Edhe në ato raste, ata shkonin në shtrat mesatarisht 46 minuta më vonë nga sa kishin planifikuar. Arsyet më të shpeshta përfshinin studimet dhe punën, si dhe argëtimin elektronik, për shembull lojërat, filmat dhe aktivitetet e tjera në telefon ose kompjuter. Studiuesit zbuluan gjithashtu se në ditët kur studentët kishin planifikuar orarin e gjumit, flinin mesatarisht rreth 12 minuta më shumë dhe shkonin në shtrat më herët. Kjo sugjeron se edhe një plan i thjeshtë mund të ndihmojë në krijimin e një rutine më të mirë.
Fenomeni është interesant sepse nuk lidhet gjithmonë me mungesën e lodhjes. Shpesh, njerëzit e dinë se kanë nevojë për gjumë, por zgjedhin të shtyjnë momentin e pushimit për të pasur pak më shumë kohë për veten. Kjo mund të ndodhë sidomos pas një dite të ngarkuar, kur orët e mbrëmjes janë i vetmi moment që ndihet plotësisht personal. Megjithatë, kur ky zakon përsëritet, mund të ndikojë në kohëzgjatjen dhe cilësinë e gjumit. Ndoshta fraza “vetëm edhe pesë minuta” është një nga premtimet më të shpeshta që i bëjmë vetes çdo natë, por rrallëherë e mbajmë.