Çfarë po hamë? KLSH zbulon tmerrin me grurin dhe miellin në Shqipëri
Parazitë, laboratorë jashtë standardeve dhe kontrolle me sy në kufi!
Siguria e produktit që përfundon çdo ditë në tryezat e shqiptarëve rezulton të jetë cenuar nga mangësi serioze në sistemin e kontrollit ushqimor. Një auditim pesëvjeçar i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), për periudhën 2020–2025, ka evidentuar problematika të theksuara në monitorimin e grurit dhe miellit, dy produkteve bazë nga të cilat prodhohet buka, një prej ushqimeve më të konsumuara në vend.
Pavarësisht se një pjesë e konsiderueshme e këtyre produkteve sigurohet përmes importit, mekanizmat shtetërorë të kontrollit në pikat e inspektimit kufitar (PIK) rezultojnë të kenë kapacitete të pamjaftueshme. Sipas gjetjeve të KLSH-së, inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) nuk disponojnë pajisjet e duhura për të kryer verifikime të plota të cilësisë dhe sigurisë së ngarkesave që hyjnë në Shqipëri.
Problemet nuk përfundojnë te kufiri. Edhe laboratorët rajonalë të AKU-së, të cilët duhet të garantojnë analizimin e produkteve ushqimore, kanë mangësi të konsiderueshme në pajisje, infrastrukturë dhe standardizim. Për më tepër, nuk janë të akredituar sipas standardit ndërkombëtar ISO/IEC 17025:2017, çka ngre pikëpyetje mbi nivelin e përmbushjes së kërkesave teknike dhe besueshmërinë e sistemit laboratorik.
Të dhënat e administruara gjatë auditimit tregojnë se, nga 4 893 mostra të bukës dhe miellit të analizuara gjatë viteve 2020–2025, 12 kanë rezultuar jokonforme. Problemet e konstatuara përfshijnë praninë e insekteve, larvave, parazitëve dhe papastërtive fitosanitare, si dhe tejkalime të normave të lagështisë dhe aciditetit.
Laboratorët e AKU-së pa akreditim dhe me mangësi në pajisje
Në raportin e auditimit, KLSH evidenton se laboratorët rajonalë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit nuk kanë përfunduar procesin e akreditimit sipas standardit ISO/IEC 17025:2017. Gjatë verifikimeve janë konstatuar problematika që prekin infrastrukturën, pajisjet, dokumentacionin, sistemin e menaxhimit të cilësisë dhe kushtet në të cilat zhvillohet puna laboratorike.
Edhe pse këto struktura vijojnë aktivitetin mbi bazën e një autorizimi të ministrit përgjegjës, KLSH thekson se një autorizim i tillë nuk mund të konsiderohet zëvendësues i akreditimit, i cili kërkon përmbushjen e kritereve dhe standardeve përkatëse.
10. Gjetje nga auditimi: Laboratorët rajonalë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit nuk janë të akredituar sipas standardit ISO/IEC 17025:2017. Gjatë auditimit u evidentuan mangësi në infrastrukturë, pajisje, dokumentacion, sistemin e menaxhimit të cilësisë dhe kushtet e punës, të cilat pengojnë përmbushjen e kërkesave të standardit. Laboratorët vijojnë aktivitetin bazuar në autorizimin e ministrit përgjegjës, por ky autorizim nuk përbën zëvendësim të procesit të akreditimit.
Një tjetër problematikë lidhet me mungesën e mjeteve të domosdoshme për garantimin e sigurisë gjatë kryerjes së analizave. Sipas auditimit, laboratorët nuk disponojnë pajisjet minimale mbrojtëse dhe sistemet e nevojshme për të krijuar kushte të përshtatshme pune për personelin.
Kjo situatë nuk përbën vetëm rrezik për shëndetin dhe sigurinë e punonjësve, por mund të ndikojë edhe në cilësinë, saktësinë dhe besueshmërinë e rezultateve të analizave që kryhen për produktet ushqimore.
11. Gjetje nga auditimi: Laboratorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit nuk disponojnë pajisjet e nevojshme të sigurisë laboratorike dhe nuk ofrojnë infrastrukturën e përshtatshme për kryerjen e analizave, duke bërë që aktivitetet laboratorike të realizohen në ambiente dhe kushte që nuk janë në përputhje me kërkesat teknike dhe standardet e sigurisë laboratorike. Mungesa e pajisjeve minimale mbrojtëse, e sistemeve të nevojshme të sigurisë dhe e infrastrukturës së përshtatshme rrit rrezikun për sigurinë dhe shëndetin e personelit laboratorik, ndërkohë që mund të ndikojë negativisht në cilësinë, saktësinë dhe besueshmërinë e rezultateve.
Në kufi, gruri dhe mielli kontrollohen kryesisht me sy
Mangësitë bëhen edhe më shqetësuese në pikat e inspektimit kufitar, ku duhet të kryhet kontrolli fillestar i produkteve të importuara përpara se ato të hyjnë në tregun shqiptar.
Sipas KLSH-së, inspektorët kanë në dispozicion mjete minimale për marrjen e mostrave, ndërsa u mungojnë pajisjet e specializuara për matjen e parametrave fizikë të grurit dhe miellit. Këtu përfshihen lagështia, temperatura dhe tregues të tjerë që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e produktit.
Në këto kushte, kontrolli i ngarkesave mbështetet kryesisht te vlerësimi vizual i mallit dhe verifikimi i dokumentacionit shoqërues, pa mundësinë e kryerjes së matjeve të shpejta në terren për tregues të caktuar të sigurisë ushqimore.
Problematika shtrihet edhe te ruajtja dhe transportimi i mostrave që dërgohen për analiza laboratorike. Inspektorët nuk disponojnë pajisjet dhe kushtet e posaçme që garantojnë ruajtjen e tyre në të gjitha fazat e procedurës së kontrollit.
21. Gjetje nga auditimi: Nga auditimi rezultoi se inspektorët e PIK disponojnë mjete minimale për marrjen e mostrave, ndërsa mungojnë pajisje të specializuara për vlerësimin e parametrave fizikë të drithërave dhe miellit, si lagështia, temperatura dhe tregues të tjerë që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe sigurinë e produktit. Kontrolli fizik i ngarkesave mbështetet kryesisht në vlerësimin vizual të produktit dhe dokumentacionit shoqërues. Nuk rezulton disponimi i pajisjeve që mundësojnë verifikime të shpejta në terren për tregues të caktuar të sigurisë ushqimore. Gjithashtu, nuk disponohen pajisje dhe kushte të posaçme për ruajtjen dhe transportin e mostrave laboratorike në të gjitha fazat e procedurës së kontrollit. Nga auditimi rezultoi se inspektorët nuk disponojnë pajisje të dedikuara për kontrollin e kushteve higjienosanitare të mjeteve të transportit dhe ambienteve ku administrohen produktet e importuara. Gjatë periudhës objekt auditimi nuk rezultojnë evidenca të dokumentuara mbi kryerjen sistematike të kontrollit të mjeteve të transportit që importonin drithëra dhe miell. Dokumentacioni i administruar fokusohej kryesisht në kontrollin e produktit dhe dokumentacionit shoqërues.
Në këtë mënyrë, raporti i KLSH-së evidenton një zinxhir mangësish që nis që në hyrjen e produkteve në vend dhe vijon deri te analizimi i tyre në laboratorë. Mungesa e pajisjeve në kufi, problemet me infrastrukturën laboratorike dhe mosakreditimi i strukturave përgjegjëse tregojnë dobësi të sistemit që duhet të garantojë sigurinë e grurit dhe miellit për konsumatorët shqiptarë.
Bëhet fjalë për produkte që përbëjnë bazën e prodhimit të bukës, ndaj mangësitë e konstatuara në kontrollin e tyre ngrenë shqetësime serioze për efektivitetin e mbikëqyrjes shtetërore të sigurisë ushqimore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



