Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka dërguar nga paraburgimi në Fier një kërkesë zyrtare për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, të planifikuar për 14 nëntor 2026. Shkresa është adresuar Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Blendi Klosi, dhe prokurorit të çështjes në SPAK, me kopje për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Drejtorinë e IEVP Fier. Veliaj kërkon që t’i lejohet pjesëmarrja fizike ose, nëse kjo nuk mund të realizohet, të sigurohet lidhje e drejtpërdrejtë audiovizive nga IEVP Fier, me mundësi për të ndjekur diskutimet, për të marrë fjalën, për të paraqitur propozime dhe për të ushtruar të drejtat e tjera statutore.
Në kërkesë ai vë në dukje se masa e sigurimit “arrest në burg” kufizon lirinë e lëvizjes, por sipas tij nuk duhet të çojë automatikisht në humbjen e të drejtave politike dhe statutore që gëzon si anëtar i Asamblesë Kombëtare, anëtar i Kryesisë së PS-së, drejtues politik i qarkut Tiranë, kryetar i Partisë Socialiste Tiranë dhe kryetar i zgjedhur i Bashkisë Tiranë. Veliaj argumenton se e drejta për organizim dhe pjesëmarrje politike ka mbrojtje kushtetuese dhe konventore (përmend nene të Kushtetutës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut) dhe se çdo kufizim duhet të ketë bazë ligjore dhe të jetë proporcional.
Në pjesën drejtuar sekretarit të përgjithshëm, ai kërkon njoftim zyrtar për orën, vendin, rendin e ditës dhe dokumentet e mbledhjes; masa për mundësimin e pjesëmarrjes fizike nëse autorizohet; ose, alternativë, sigurimin e infrastrukturës teknike për videokonferencë nga IEVP Fier; koordinim me administratën e burgut dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve; dhe që, nëse lidhja e drejtpërdrejtë nuk mundësohet, qëndrimi i tij i shkruar të paraqitet dhe të përfshihet në dokumentacionin e mbledhjes pa u konsideruar zëvendësim automatik i të drejtës për pjesëmarrje.
Për prokurorin e çështjes, Veliaj kërkon shqyrtim urgjent të mundësisë ligjore për pjesëmarrje fizike dhe, në mungesë të kësaj, miratim për pjesëmarrje përmes videokonferencës nën mbikëqyrjen e administratës penitenciare. Ai thekson se nuk kërkon ndryshimin apo pezullimin e masës së sigurisë, por vetëm garantimin e ushtrimit të të drejtave të tij politike brenda kufizimeve ligjore të paraburgimit, dhe kërkon një vendim të shpejtë për organizimin e pjesëmarrjes. Dokumenti mbyllet me firmën e Erion Veliajt si anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS.
