E martë, 10 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Babai i Noizy-t dëshmon kundër Laert Haxhiut: 5-6 makina provokuan djalin tim
Lajme

Babai i Noizy-t dëshmon kundër Laert Haxhiut: 5-6 makina provokuan djalin tim

Në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut janë zbardhur detaje të reja lidhur me shpërthimin me tritol në biznesin e familjes së këngëtarit Rigels Rajku, i njohur publikisht si Noizy, ngjarje e regjistruar në qershor të vitit 2022 në Durrës.

Në kuadër të hetimit dhe shqyrtimit gjyqësor të çështjes, SPAK ka thirrur për të dëshmuar këngëtarin Noizy dhe babanë e tij, Bashkim Rajku. Ky i fundit është paraqitur në seancën e radhës, ku është pyetur nga prokurori Behar Dibra për rrethanat e shpërthimit dhe konfliktet që mund të kenë paraprirë ngjarjen.

Vetë Laert Haxhiu nuk ishte i pranishëm në seancë dhe u përfaqësua nga avokati mbrojtës, Detar Hysi.

Gjatë dëshmisë, Bashkim Rajku tregoi se familja kishte dëgjuar shpërthimin dhe, kur kishte konstatuar situatën, kishte vënë re se xhamat e biznesit ishin thyer. Dyqani ndodhej në të njëjtin pallat ku banonte familja dhe ishte marrë me qira.

Ai sqaroi se nuk kishte prova konkrete për të identifikuar personat përgjegjës apo për të përcaktuar motivin e sulmit, por përmendi disa përplasje të mëparshme, të cilat mund të kishin lidhje me ngjarjen.

“Dëgjuam shpërthimin, orën nuk e mbaj mend se kanë kaluar 4 vite. Dyqanin e kishim në të njëjtin pallat ku jetonim, e kishim me qira. Vumë re se ishin thyer xhamat”, deklaroi Rajku para prokurorit.

5-6 makina një ditë para shpërthimit, babai i Noizyt: E provokuan djalin tim

Një nga detajet më të rëndësishme të dëshmisë ishte episodi i ndodhur një ditë përpara shpërthimit. Sipas Bashkim Rajkut, disa persona ishin paraqitur pranë lokalit me 5-6 automjete dhe kishin provokuar këngëtarin, duke shkaktuar edhe një përplasje në ambientet e biznesit.

Ai la të kuptohej se konfliktet e mëparshme mund të kishin krijuar një klimë tensioni, por theksoi se nuk kishte fakte të mjaftueshme për t’ia atribuar drejtpërdrejt shpërthimin një personi të caktuar.

“Djali im është artist, mund të ketë pasur ndonjë fërkim apo hatërmbetje. Nuk kishim dyshime në momentin e parë. Ju e dini historinë, ka pasur fërkime me atë të Lushnjës. Nuk kam fakte ta them konkretisht. Punë artistësh. Një ditë para erdhën 5-6 makina dhe e kanë provokuar çunin tim, kanë bërë sherr te lokali dhe ndodhi kjo që ndodhi”, u shpreh ai.

Gjatë pyetjeve, Bashkim Rajku bëri të ditur gjithashtu se familja nuk kishte pasur më parë njohje me personin të cilit iu referua në dëshminë e tij. Ndërkohë, përllogariti se dëmi ekonomik i shkaktuar nga shpërthimi në biznes arrinte në rreth 30 mijë euro.

Dëshmia e babait të Noizyt vjen në një moment kur në gjykimin ndaj Laert Haxhiut po shqyrtohen episode të ndryshme kriminale, ndërsa rrethanat e shpërthimit në biznesin e familjes Rajku janë pjesë e çështjeve që po trajtohen gjatë procesit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.