
Manchester United duket se po përgatitet për një tjetër ndryshim në pankinë. E ardhmja e Michael Carrick është vënë në pikëpyetje pas tri ndeshjeve të fundit, ndërsa drejtuesit e klubit anglez kanë nisur të shqyrtojnë alternativat për trajnerin e ri.
Carrick kishte në dispozicion tri sfida për të bindur drejtuesit se meritonte të vazhdonte në krye të skuadrës, por bilanci nuk ka qenë bindës: një fitore, një barazim dhe një humbje. Suksesi erdhi pas përmbysjes në Champions League ndaj Romës, ndërsa më pas United barazoi 4-4 me Aston Villën dhe u mposht nga Chelsea.
Sipas raportimeve nga Anglia, drejtuesit e “Djajve të Kuq” synojnë të shfrytëzojnë pushimin e kombëtareve për të gjetur një trajner të ri. Mes emrave të përmendur është edhe Antonio Conte, por situata duket ndryshe nga sa raportohet.
Sipas burimeve pranë trajnerit italian, ish-tekniku i Napolit nuk e konsideron aktualisht një kalim te Manchester United. Arsyeja lidhet me paqartësitë dhe mungesën e stabilitetit në ambientin e klubit, kushte që nuk favorizojnë nisjen e një projekti të ri.
Ndërkohë, Mauricio Pochettino përmendet si kandidati kryesor. Trajneri argjentinas ka një klauzolë në kontratën me Federatën Amerikane të Futbollit që mund t’i mundësojë largimin e menjëhershëm.
Në listën e alternativave përmenden gjithashtu Eddie Hoëe dhe Julian Nagelsmann. Manchester United pritet të marrë një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e pankinës në javët në vijim.
