Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka inspektuar këtë të martë pallatin e përfshirë nga zjarri tragjik në Elbasan, ndërsa takoi nga afër edhe banorët.
Krah kryebashkiakut të Elbasanit, Gledian Llatja, ministri theksoi se hapat e mëtejshëm për ndërhyrjen në godinë do të përcaktohen pas raportit të Institutit të Ndërtimit. Më pas, inxhinierët do të kryejnë vlerësimet përkatëse për të përcaktuar ndërhyrjet e nevojshme.
“Kjo do të marrë një zgjidhje”, u shpreh Demo, duke garantuar se situata do të trajtohet përmes institucioneve përgjegjëse.
Nga ana e tij, kryebashkiaku Llatja deklaroi se Bashkia e Elbasanit ka kapacitete të plota për përballimin e emergjencave, ndërsa hodhi poshtë pretendimet për probleme logjistike gjatë ndërhyrjes së zjarrfikësve.
“Është ndër bashkitë që ka strukturën më të mirë të zjarrfikëses. Ka të gjitha mjetet e nevojshme, të reja. Nuk ka pasur asnjë problem sa i përket logjistikës!”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku bëri të ditur gjithashtu se është miratuar bonusi i qirasë për të gjitha familjet e prekura nga zjarri. Ai sqaroi se vlera e përfitimit është përcaktuar në bazë të çmimeve të tregut dhe sipërfaqes së banesës që i nevojitet secilës familje.
“Sot është miratuar bonusi i qirasë për të gjithë banorët. Për hapat e tjerë do të presim raportin e Institutit të Ndërtimit, në mënyrë që të nisim me vendimmarrjen”, deklaroi Llatja.
Kreu i bashkisë Elbasan shtoi se 15 familjeve të prekura u është kërkuar të paraqesin dokumentacionin përkatës, ndërsa Bashkia ka siguruar edhe raportin paraprak nga Kadastra. Sipas tij, institucionet janë angazhuar që prej ditës së parë pas zjarrit dhe tashmë po punohet për përfundimin e procedurave administrative.
“Bonusi i qirasë është bërë në bazë të vlerës së tregut dhe në bazë të sipërfaqes që kërkohet. Nuk është bonus social! Përfiton vlerën e plotë të bonusit në bazë të studimit të zonës. Është përcaktuar vlera që duhet t’i takojë secilës familje”, theksoi kryebashkiaku.
Ndërkohë, Demo u ndal edhe te kuadri ligjor dhe përgjegjësitë që lidhen me administrimin dhe sigurinë e godinave të banimit. Ai bëri të ditur se kanë dalë aktet e para nënligjore, të cilat përcaktojnë më qartë detyrimet e banorëve dhe administratorëve të pallateve, si dhe formulat për përllogaritjen e kostove financiare.
“Aktet e para nënligjore kanë dalë, të cilat përkufizojnë më qartë përgjegjësitë që kanë vetë banorët, pastaj detyrimet që kanë administratorët e pallatit. Kanë dalë formulat e përllogaritjes së kostos financiare, ky është një proces. VKM-ja ka dalë, udhëzimet përkatëse po ashtu”, u shpreh Demo.
Ministri shtoi se Ministria e Brendshme do të bashkëpunojë me bashkitë në të gjithë vendin për ngritjen e strukturave të nevojshme që do të merren me administrimin dhe sigurinë e godinave të banimit komunitar.
“Zjarrfikësit kanë bërë detyrën e tyre, besoj që kanë bërë më të mirën. Të gjitha bashkitë në vend po i përforcojnë mjetet e tyre logjistike për të përballuar emergjencat. Kjo është emergjencë civile”, përfundoi ministri.
Kujtojmë se përpos dëmeve masive, ky shpërthim u mori jetën dy personave, ndërsa plagosi disa të tjerë.








