Vendosni fjalën kyçe....

Demo: Suksesi i Policisë nuk matet me numrin e arrestimeve, por me sigurinë që përjetojnë qytetarët



Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, deklaroi se suksesi i Policisë së Shtetit duhet të vlerësohet mbi bazën e sigurisë që përjetojnë qytetarët, mbrojtjes së të rinjve dhe kufizimit të hapësirave ku veprojnë grupet kriminale.

Gjatë konferencës së përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza-s, ku u prezantuan rezultatet e monitorimit ajror të territorit shqiptar gjatë vitit 2026, Demo u ndal te bashkëpunimi 15-vjeçar mes dy institucioneve. Ai e cilësoi këtë partneritet dëshmi të besimit dhe koordinimit operacional, që sipas tij ka sjellë rezultate konkrete ndër vite.

“Për mua, suksesi i Policisë nuk matet vetëm me numrin e operacioneve, arrestimeve apo hektarëve të kontrolluar. Këto janë tregues të rëndësishëm që na ndihmojnë për të kuptuar se çfarë kemi bërë dhe ku duhet të përmirësohemi, por matësi përfundimtar është se sa të sigurt ndihen qytetarët dhe sa më pak hapësirë kanë grupet kriminale për të operuar në territor”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se lufta kundër krimit nuk duhet të shihet si një garë statistikash, por si detyrim për të garantuar më shumë siguri dhe mbrojtje për qytetarët, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.

Demo nënvizoi gjithashtu se goditja e grupeve kriminale duhet të përfshijë jo vetëm arrestimin e anëtarëve të tyre, por edhe identifikimin dhe sekuestrimin e burimeve financiare që mbështesin aktivitetin e paligjshëm. Sipas tij, hetimet e përbashkëta dhe bashkëpunimi me strukturat antimafia italiane janë të rëndësishme për të dobësuar kapacitetet ekonomike të organizatave kriminale dhe për të penguar rikthimin e tyre në aktivitet.

Duke iu referuar progres-raportit të fundit të Komisionit Europian, ministri përmendi rritjen e operacioneve policore me partnerët ndërkombëtarë, nga 53 në 108 brenda një viti. Ai e cilësoi Italinë një nga partnerët kryesorë të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve.

Sipas tij, bashkëpunimi operacional mes dy vendeve është zgjeruar edhe në monitorimin ajror, i cili këtë vit nisi në maj dhe vijoi deri në tetor. Demo përmendi gjithashtu krijimin e 18 skuadrave të përbashkëta me Italinë, si tregues të koordinimit mes strukturave të të dyja vendeve.

Ministri e lidhi këtë partneritet edhe me procesin e integrimit europian, duke theksuar se siguria është një nga kushtet për zhvillimin e qëndrueshëm dhe se Shqipëria duhet të kontribuojë edhe në sigurinë e Bashkimit Europian.

Në përfundim, Demo vuri në dukje se ndryshimi i mënyrave të financimit, rrugëve të trafikimit dhe përdorimit të teknologjisë nga grupet kriminale kërkon përshtatje dhe forcim të vazhdueshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai falënderoi autoritetet italiane për mbështetjen ndër vite, duke e cilësuar partneritetin në fushën e sigurisë një angazhim të përditshëm.