Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, raportoi para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion lidhur me Projektligjin për Efiçiencën e Energjisë dhe Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë. Mbledhja vazhdoi edhe pse deputetët e opozitës kishin kundërshtuar përfshirjen e pikës së dytë në rendin e ditës.
Sipas deputetëve opozitarë, përfshirja e Projektligjit për Rregullatorin e Energjisë nuk ishte bërë në mënyrë të rregullt, pasi dokumenti u ishte dërguar më pak se 24 orë para takimit dhe nuk kishin pasur kohë të mjaftueshme për ta analizuar. Ata nuk morën pjesë në vazhdimin e mbledhjes, ndërsa komisioni vijoi me raportimin e ministres.
Të lidhura
None found
Rizvanolli tha se Projektligji për Efiçiencën e Energjisë synon të përmirësojë bazën ligjore për përdorimin me efikasitet të energjisë në Kosovë dhe ta përafrojë atë me legjislacionin evropian. Ajo bëri të ditur se parashihet kursim vjetor prej 0.8 për qind të konsumit mesatar final të energjisë të tri viteve paraprake, duke nisur nga viti i parë i plotë kalendarik pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Rizvanolli: Projektligji për efiçiencën e energjisë përmirëson kornizën ligjore
“Projektligji për eficiencë të energjisë, avancon kornizën ligjore për përdorimin eficient të energjisë në Republikën e Kosovës. Po ndalem vetëm tek disa çështje të cilat janë më të rëndësishme që konsideroj që janë risi në këtë ligj. Objektivat kombëtare dhe mekanizmat për realizimin e kursimeve janë të përcaktuara pra këtu me planin kombëtar për energji dhe klimë dhe dokumentet strategjike të sektorit, duke siguruar një qasje më të koordinuar ndërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave. Për realizimin e këtyre objektivave parashikohen kursime vjetore prej 0.8 për qind të konsumit mesatar final të energjisë gjatë tre viteve paraprake, duke filluar nga viti i parë i plotë kalendarik pas hyrjes në fuqi të ligjit. Dhe kjo është në përputhje me atë që tashmë e kemi bërë si praktikë dhe me investimet që tashmë po bëhen në eficiencë të energjisë në Republikën e Kosovës. Roli i shembullit të sektorit publik në renovimin e ndërtesave dhe në prokurim është diçka gjithashtu që është e rëndësishme. Parashihet renovimi vjetor së paku 3 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të shfrytëzueshme të ndërtesave që ngrohen ose ftohen, që janë në pronësi të institucioneve publike dhe kanë mbi 250 metra katrorë”, theksoi Rizvanolli.
Ministrja shtoi se projektligji përfshin varfërinë energjetike dhe konsumatorët e cenueshëm në politikat e programet e mbështetjes. Po ashtu, ai krijon bazë për të kufizuar në treg shitjen e produkteve joefiçiente.
Rizvanolli: Varfëria energjetike përfshihet në politikat dhe programet mbështetëse
“Projektiigji kërkon përfshirjen e performancës së lartë energjetike në prokurimin publik, ashtu që të mos kemi aq shumë nevojë për trajtim të eficiencës.Përfshirja e varfërisë energjetike në politikat dhe programet mbështetëse është diçka që është e re në këtë ligj në krahasim me ligjin e kaluar të eficiencës. Për përshtatjet eventuale në mes të dy ligjeve mund t’i trajtojmë në mes të dy leximeve, mirëpo parimi është i njëjtë, varfëria energjetike dhe konsumatorët e cenueshëm e kanë një rol më të madh, më saktë është një fokus më të madh në këtë pako të ligjeve….Përderisa deri tani ne kemi mundur t’i informojmë qytetarët ose të subvencionojmë blerjen e pajisjeve që janë eficiente, në krahasim me ato joeficiente, nuk kemi pasur një mekanizëm që ndalon shitjen e produkteve joeficiente në treg. Nëse fillojmë prej më bazikeve dhe më të lehtave, ndriçimi joeficient në krahasim me ndriçimin LED eficient, ka, konsum shumëfish më të madh, pra konsum joeficient, dhe ndërkohë që dallimi në çmim në mes të një poqi LED dhe poqit joeficient është shumë i vogël. Pra është një diçka që, nuk do ketë kosto të madhe për qytetarët”, potencoi Rizvanolli.
Deputeti i LVV-së, Valon Ramadani, kërkoi që qytetarët ta kenë më të lehtë të aplikojnë për subvencione nga Fondi për Efiçiencë të Energjisë. Ai u ndal veçanërisht te rastet kur nevojitet vlerësim në terren për të përcaktuar nëse aplikuesi i plotëson kushtet.
Ramadani kërkon lehtësim të aplikimeve për subvencione
“Kur ka mjete, fondi i energjisë efecientë, që ndan për subvencionim me pas një mundësi më të lehtë të atyre aplikimeve, sidomos aty ku duhet dikush me shku dhe me vlerësu se cili është ai që përket, që mundet me fitu këtë grant. A keni mëndu si ministri”, ka thënë Ramadani.
Në përgjigje, Rizvanolli tha se zbatimi i masave të mëparshme ka nxjerrë në pah mangësi. Mes tyre përmendi raste kur auditorët e energjisë kanë kërkuar tarifa të larta për auditime, si dhe përpjekje për t’i paraqitur si të përshtatshme për subvencionim shtëpitë që ishin izoluar tashmë.
Ajo njoftoi se projektligji i ri parashikon masa ndëshkuese për auditorët që abuzojnë me përgjegjësitë e tyre.
Rizvanolli: Projektligji parashikon ndëshkime për auditorët që keqpërdorin detyrën
“Në këtë aspekt ne gjatë zbatimit të masave të kaluara për efciencë i kemi pa disa praktike dhe kemi nxjerrë disa mësime të cilat pjesërisht adresohen me këtë ligj. P.sh., një prej tyre ka qenë, ju përmendet auditimin e energjisë, dhe një prej çështjeve që kemi has prej ankesave të qytetarëve, është që auditorët e energjisë e kanë keqpërdorur situatën dhe urgjencën për auditim të energjisë për të kërkuar çmime shumë të larta, apo ka pas raste të tentimit të mashtrimit prej auditorëve për të paraqitur shtëpi që kanë qenë tashmë të izoluara. Për fat të mirë të gjitha këto janë kontrolluar dhe eliminuar, kemi pa që dobësia që ka qenë në kornizën ligjore aktuale ka qenë që nuk ka pasur një mekanizëm të penalizmit të këtyre auditorëve. Tani kjo është rregulluar”, tha Rizvanolli.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ejup Ahmeti, pyeti nëse është shqyrtuar mundësia që pajisjet me konsum të lartë energjie të taksohen.
Ahmeti pyet për taksimin e pajisjeve që harxhojnë më shumë energji
“Pajisjet që konsumojnë energji dhe ato që kursejnë energji, ne do të kemi fokus tek ato që kursejnë energji, a keni menduar që të fusim në ligj dhe të bashkërendojmë me ministritë tjera, p.sh., të taksojmë pajisjet që konsumojnë energji fillimisht, dhe pastaj të favorizojmë paisjet që nuk kursejnë energji”, tha Ahmeti.
Rizvanolli u përgjigj se projektligji krijon bazë ligjore që institucionet publike, kur prokurojnë, të vendosin kritere në favor të pajisjeve dhe zgjidhjeve me performancë të lartë energjetike.
Ministrja paraqiti gjithashtu ndryshimet që sjell Projektligji për Rregullatorin e Energjisë, duke thënë se synohet të forcohet mbrojtja e konsumatorëve.
Rizvanolli: Projektligji i ri forcon mbrojtjen e konsumatorëve
“Projektligji i ri e përforcon mbrojtjen e konsumatorit. Më saktësisht përcakton, më hollësisht, përgjegjësitë e rregullatorit për monitorimin e cilësisë, furnizimit, ndërprerjeve të energjisë, faturimit dhe respektimit të të drejtave të konsumatorëve. Kjo duke qenë se nga përvoja jonë, si në qoftë se ministri, qoftë besoj që edhe ju si deputet, ankesat kryesore nga qytetarët i kemi pikërisht në këto pika, që në fakt nuk janë çështje politike, por janë çështje e rregullimit të tregut dhe çështje e monitorimit të tregut. Prandaj synohet që në të ardhmen rregullatori të ketë më shumë kompetenca dhe më të detajuara në monitorimin dhe mirëpo edhe në adresimin e ankesave të konsumatorëve në pikërisht furnizimit, faturimit dhe çështjeve për të cilat kryesisht kemi ankesa”, tha Rizvanolli.
Ajo përmendi edhe thjeshtimin e licencimit për disa kapacitete, mes tyre sistemet e ruajtjes së energjisë dhe instalimet e vetëprodhimit që nuk lidhen me rrjetin, deri në një megavat. Nga ana tjetër, për aplikuesit për leje do të zbatohen kontrolle më të rrepta.
Rizvanolli: Projektligji synon të parandalojë manipulimin e tregut
“Çfarë është e re është që projektligji rregullon monitorimin dhe parandalimin e manipulimit të tregut dhe tregtimit në bazë të informatave të brendshme dhe parasheh regjistrimin dhe mbikëqyrjen e pjesëmarrësve në treg. Kjo reflekton zhvillimet më të reja në tregun e energjisë elektrike në Evropë dhe rregulloret atje që janë për të luftuar manipulimin e tregut. Gjithashtu me rëndësi është që ka disa ndryshime sa i përket licencimit dhe mbikëqyrjes së ndërmarrjeve të energjisë. Në njërën anë ka disa lehtësime për procedurat e licencimit duke përjashtuar nga detyrimi për pajisje me leje, ndër të tjera, sistemet e ruajtjes së energjisë dhe instalimet e vetëprodhimit pas njësorit, pra që nuk kycen në rrjet, në kapacitet deri në 1 megavat…Mirëpo në anën tjetër, përderisa ka lehtësi të tilla për kapacitetet e vogla, projektligji parasheh kontrollin më të fortë ndaj aplikuesve për leje”, shtoi Rizvanolli.







