15 familjet e dëmtuara nga shpërthimi i bombolës së gazit që rrënoi pallatin 5-katësh në Elbasan, kanë përfituar për 1 vit bonusin e qirasë.
Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi këtë të martë me procedurë të përshpejtuar bonusin e qirasë për familjet e mbetura pa shtëpi.
Vendimi u mor pas përfundimit të ekspertimit nga Instituti i Ndërtimit. Familjet do të përfitojnë mbulimin e shpenzimeve të qirasë për një periudhë fillestare njëvjeçare, me mundësi zgjatjeje deri në përfundimin e punimeve dhe rikthimin e tyre në banesa.
Kontratat janë nënshkruar nga të 15 familjet, ndërsa Bashkia ka verifikuar çmimet e tregut për të përcaktuar vlerën e bonusit. Strehimi do të financohet në bazë të ligjit për emergjencat civile dhe shpenzimet do të mbulohen deri në akomodimin përfundimtar të banorëve.
Ndërkohë, familjet e prekura kanë nisur kërkimet për banesa me qira, ndërsa konvikti i vënë në dispozicion nga Bashkia nuk është shfrytëzuar.
Shpërthimi në pallatin pesëkatësh shkaktoi dy viktima dhe 10 të lënduar, ndërsa dëmet e shkaktuara në ndërtesë detyruan evakuimin e banorëve dhe nxorën jashtë përdorimit apartamentet e prekura.


