Shpërthim gjatë një operacioni policor në Spanjë, humb jetën një efektiv dhe plagoset rëndë një tjetër

Një efektiv policie ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë pas shpërthimit të një pajisjeje eksplozive në qytetin Oviedo, në veri të Spanjës.
Ngjarja ndodhi të martën në mëngjes, pasi policia mbërriti në vendngjarje pas raportimeve për një konflikt mes fqinjëve, gjatë të cilit një grua ishte qëlluar me armë zjarri.
Gjatë kontrollit të zonës, efektivët gjetën një çantë shpine të dyshimtë, ku dukej një dritë që pulsonte. Për këtë arsye, në vendngjarje u thirrën njësia e çaktivizimit të eksplozivëve dhe ajo kinologjike.
Sipas zëdhënësit të policisë, Pedro Aguado, shpërthimi ndodhi në momentin kur çanta po zhvendosej jashtë, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve.
Si pasojë, humbi jetën një efektiv i njësisë kinologjike, ndërsa një punonjës i njësisë antieksploziv mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua në spital. Gjithashtu, nga shpërthimi ngordhi edhe Deny, një qen policie trevjeçar.
Ndërkohë, gruaja e plagosur me armë zjarri është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja dhe vijon të jetë në arrati. Policia ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e tij, ndërsa zona pranë shpërthimit është rrethuar.
Policia spanjolle ka shprehur ngushëllimet për efektivin e ndjerë përmes një mesazhi në rrjetin social X, duke shprehur solidaritet me familjen, miqtë dhe kolegët e tij.
Edhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, u shpreh i tronditur nga ngjarja, duke vlerësuar guximin dhe përkushtimin e efektivëve të policisë.




