Tragjedia me dy viktima në Elbasan, Çelaj kritika: Fikët zjarrin me zorrë! Çako: Angazhuam të gjitha kapacitetet

Projektbuxheti i vitit 2027 për Emergjencat Civile është shoqëruar me debate në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes. Deputeti Isuf Çelaj ngriti shqetësimin për uljen e buxhetit, në një kohë kur Shqipëria po përballet gjithnjë e më shpesh me fatkeqësi natyrore, nga zjarret gjatë verës te përmbytjet në fillim të vitit.
Ai kërkoi shpjegime për nivelin e ulët të realizimit të investimeve, gatishmërinë e flotës së helikopterëve për vitin e ardhshëm, por edhe për mënyrën e menaxhimit të zjarrit tragjik në Elbasan, ku humbën jetën dy persona.
Isuf Çelaj: Shqipëria kaloi verën e këtij viti mes zjarresh, në fillim pranvere edhe përmbytjet. Menaxhimi la për të dëshiruar. Megjithatë, kur sheh buxhetin… do të doja një sqarim pse kemi një ulje të buxhetit dhe si arsyetohet ulja e këtij buxheti në kushtet kur problematikat dhe fatkeqësitë natyrore janë gjithnjë në rritje.
Niveli i realizimit të investimeve është i ulët. Cilat janë arsyet që s’keni arritur të absorboni këto? A është e kompletuar flota e helikopterëve dhe a është e gatshme që në çdo situatë në vitin 2027 ta përballojë me sukses?
Javën e kaluar ndodhi një zjarr në Elbasan ku humbën jetën dy persona. Mënyra e menaxhimit të asaj situate lë për të dëshiruar. Fikja e zjarrit bëhej me një zorrë uji, sikur po ujit lulishten. Ndërkohë, në shesh makinat e ujit e hedhin ujin 200-300 metra.
Duke iu përgjigjur kritikave, kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, e cilësoi vitin 2026 si një nga vitet më të suksesshme në aspektin operacional, duke deklaruar se Shqipëria nuk ka pasur nevojë të kërkojë ndihmë nga jashtë për përballimin e zjarreve, falë gatishmërisë së helikopterëve dhe dy avionëve Air Tractor.
Sa i përket tragjedisë në Elbasan, ai tha se në operacion u angazhuan të gjitha kapacitetet në dispozicion, përfshirë autoshkallët nga Tirana dhe Elbasani, ndërsa njësitë e kërkim-shpëtimit punuan gjatë gjithë natës për të garantuar sigurinë e banorëve dhe për të gjetur trupin e viktimës.
Haki Çako: Lidhur me flotën e helikopterëve, mund t’ju them me siguri të plotë se viti 2026 ka shënuar një nga arritjet operacionale më të suksesshme të shtetit shqiptar. Gjatë vitit 2026, ndryshe nga vitet e tjera, ne nuk kemi adresuar asnjë kërkesë për ndihmë dhe mbështetje. Kjo e lidhur me një operacionalitet dhe gatishmëri absolute të helikopterëve që ne kemi në dispozicion, por njëkohësisht edhe me dy avionë Air Tractor. Ne arritëm të menaxhojmë në kohë reale të gjitha zjarret.
Në lidhje me zjarrin në Elbasan, ne kemi angazhuar të gjitha kapacitetet deri te autoshkallët, qoftë nga Tirana, qoftë nga Elbasani. Ka pasur një risk të shtuar për banorët e pallatit. Është një aksident që sjell pasoja të konsiderueshme. Mund të them që njësitë e kërkim-shpëtimit kanë operuar gjatë gjithë natës, kanë siguruar jetën e të gjithë banorëve të pallatit dhe në mesnatë kanë gjetur edhe trupin e viktimës./vizionplus.tv




