Check-up-i kaloi nën menaxhimin e shtetit në shtator 2026, por shërbimi ende nuk është funksional. Gjatë diskutimit të projektbuxhetit për vitin 2027 në Komisionin e Ekonomisë, ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, tha se kalimi nga privati te publiku ka hasur vështirësi dhe se tenderi është anuluar për t’u rishikuar nga e para.
“Për check-up-in, kalimi nga privati te publiku është i vështirë. Jemi detyruar të anulojmë tenderin dhe të rishikohet nga e para për ta menaxhuar më mirë. Jemi duke punuar, por tenderi vonohet pak. Kjo është arsyeja pse kemi vështirësi për check-up-in”, tha Spahiu në përgjigje të deputetit Erion Braçe.
Gjatë diskutimit, deputeti i PD-së Eno Bozdo, ngriti çështjen e pagesave për check-up-in gjatë koncesionit. Duke iu referuar gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ai tha se ishin paguar 475 mijë kontrolle, ndërsa ishin kryer 461 mijë.
Ministrja Klodiana Spahiu mbrojti vendimin e vitit 2014 për dhënien e shërbimit me koncesion, duke argumentuar se në atë kohë sistemi publik nuk ishte i përgatitur për ta ofruar. Ajo tha se shteti e mori në menaxhim check-up-in në shtator 2026.
Eno Bozdo, deputet i PD-së: Për kontratat PPP, shumica janë në hetim nga SPAK. Një pjesë e këtyre koncesioneve janë mbyllur, por faturën vazhdojnë ta paguajnë taksapaguesit. Për check-up-in, KLSH-ja ka gjetur se janë paguar 475 mijë kontrolle, ndërsa janë kryer 461 mijë. Dializa nuk arriti nivelet minimale, ndërkohë që Fondi paguan pa verifikuar.
Klodiana Spahiu, ministre e Shëndetësisë: Vendimmarrja e vitit 2014 ka qenë shumë e drejtë dhe është miratuar në Kuvend. Me 16 vjet përvojë parlamentare, e kam përjetuar situatën e shëndetësisë para vitit 2014 dhe vendimet që u morën. Në atë kohë, sistemi shëndetësor nuk ishte i përgatitur për të ofruar disa shërbime që kërkonin investime të rëndësishme, të cilat nuk mund të kryheshin menjëherë. Në këto 10 vite, politikat kanë synuar forcimin e sistemit parësor dhe spitalor.
Ne kemi vendosur që këtë shërbim ta marrë sektori publik. Pyetja ime është: a jeni kundër që këtë shërbim ta marrë shteti? Sepse ishit kundër menaxhimit me PPP, me koncesion, dhe jeni kundër edhe menaxhimit nga shteti. Aktualisht këtë shërbim e ofron shteti, që prej shtatorit 2026. Jemi ende në fillim. Ky menaxhim kërkon shumë punë, organizim të mirë dhe konsolidim të punës së bërë në këto 10 vite.
Lajmi kryesor:
Buxheti 2027/ Ministrja e Shëndetësisë në komision: Për herë të parë, financim i PET-scan në sektorin publik! Rikonstruktohen Pediatria e Psikiatria në QSUT









