Ambasada nderon themeluesin e Institutit Zviceran të Studimeve Shqiptare për kontributin në arsim dhe kulturë
Ambasadori i Shqipërisë, Ermal Dredha i dorëzoi themeluesit dhe drejtorit të Institutit Zviceran të Studimeve Shqiptare (ISEAL), Driton Kajtazi, një Certifikatë Mirënjohjeje në emër të Ambasadës, gjatë një mbrëmjeje të organizuar në Lozanë, shkruan Telegrafi.
Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Ermal Dredha, mori pjesë në mbrëmjen e organizuar nga shoqata “Miqtë e ISEAL-it”, në Lozanë, ku u prezantua revista studimore “La revue ISEAL”, me kryeredaktor gazetarin zviceran Alain Maillard.

Gjatë kësaj veprimtarie, ambasadori Dredha i dorëzoi Driton Kajtazit, themelues dhe drejtor i Institutit Zviceran të Studimeve Shqiptare (ISEAL), një Certifikatë Mirënjohjeje në emër të Ambasadës, në shenjë vlerësimi për përkushtimin e tij shumëvjeçar në shërbim të arsimit, gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Në njoftimin e Ambasadës së Shqipërisë në Zvicër theksohet se ambasadori vlerësoi rolin e institutit në promovimin e trashëgimisë dhe kontributit të shqiptarëve në Zvicër, si dhe në forcimin e marrëdhënieve mes dy popujve.

“Ambasadori theksoi rolin e ISEAL-it në njohjen e trashëgimisë dhe kontributit të shqiptarëve në Zvicër, si dhe në forcimin e dialogut dhe miqësisë mes dy popujve”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Veprimtaria në Lozanë u zhvillua në kuadër të angazhimit për promovimin e studimeve shqiptare dhe vlerësimin e kontributit në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës e kulturës shqiptare në Zvicër./Telegrafi/





























