Numri i lindjeve në Shqipëri vijon të pësojë ulje të ndjeshme. Vendi regjistroi 10,5% më pak lindje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Por, pavarësisht rënies së lindjeve, shtesa natyrore e popullsisë rezultoi pozitive, me 742 lindje më shumë se vdekje, sipas të dhënave të INSTAT. Rënia e lindjeve u vu re në shumicën e qarqeve të vendit. Dhjetë qarqe regjistruan më pak lindje se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa vetëm dy shënuan rritje. Dibra pati rritjen më të madhe të lindjeve, ndërsa Fieri regjistroi rënien më të theksuar. Tirana mbetet qarku me numrin më të lartë të lindjeve, me 2.708, ndërsa Gjirokastra ka numrin më të ulët, me 66. Sa u përket vdekjeve, shtatë qarqe regjistruan rritje krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa në pesë të tjerat numri i tyre ra. Kukësi shënoi rritjen më të madhe të vdekjeve, ndërsa Dibra regjistroi rënien më të theksuar.