Bordi i Transparencës ul çmimet e karburanteve, nafta dhe benzina ulen me 2 lekë

Ekonomi | 1 minutë më parë

Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimeve të karburanteve në vend. Sipas vendimit të marrë këtë të martë, 10 nëntor, nafta do të tregtohet me një çmim maksimal prej 208 lekësh për litër, ndërsa benzina nuk do të shitet më shumë se 167 lekë për litër.

Konkretisht, çmimi i naftës ulet me 2 lekë për litër, nga 210 në 208 lekë, ndërsa benzina pëson një ulje prej 2 lekë për litër, nga 169 në 167 lekë.

Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, në orën 13:45, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të shqyrtohen ndryshimet e tregut.

Bordi i Transparencës u bën thirrje të gjithë operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë që të zbatojnë vendimin. Në rast të konstatimit të shkeljeve, parashikohet pezullimi i aktivitetit të subjekteve përgjegjëse.

Vendimi është marrë në kuadër të masave për kufizimin e përkohshëm të çmimeve të hidrokarbureve, pas shpalljes së situatës së veçantë në këtë treg.

Njoftimi i plotë

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.

Kështu Bordi i Transparencës në datë  10 Nëntor 2026, vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 208 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se  196 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 167 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 155 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 10 ora  13.45 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme