Flick kërkon transferimin e yllit të Bayern Munichut në janar, por përballet me një pengesë të madhe

Barcelona ka bërë një tjetër lëvizje për të mësuar rreth mundësisë së transferimit të qendërmbrojtësit të Bayern Munichut, Jonathan Tah, në prag të afatit kalimtar të janarit.
Kampioni në fuqi i La Ligës është në kërkim të një mbrojtësi me përvojë, i cili do të formonte dyshen në qendër të repartit defensiv me talentin e ri Pau Cubarsin.
Sipas gazetarit të Sky Germany, Florian Plettenberg, drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, dhe trajneri Hansi Flick kanë kërkuar informacione për situatën aktuale të 30-vjeçarit gjerman në Bavari.
Të dy drejtuesit vazhdojnë ta vlerësojnë lart mbrojtësin shtatlartë dhe dëshirojnë të përforcojnë repartin defensiv për pjesën e dytë të sezonit. Për këtë arsye, Barcelona ka kontaktuar për të kuptuar nëse ekziston mundësia e arritjes së një marrëveshjeje gjatë afatit kalimtar të dimrit.

Tah nuk është një emër i panjohur për drejtuesit e klubit katalunas, të cilët kishin shqyrtuar transferimin e tij edhe në vitin 2025, kur kontrata e tij me Bayer Leverkusenin po i afrohej fundit.
Në atë kohë, Barcelona e kishte marrë seriozisht mundësinë e transferimit të tij, por në fund vendosi të mos vazhdonte me negociatat, duke i hapur rrugë kalimit të tij te rivali vendas, Bayern Munich.
Që nga transferimi në “Allianz Arena”, mbrojtësi me përvojë është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm te kampionët gjermanë.
Në 67 paraqitje në të gjitha garat me fanellën e Bayernit, ai ka realizuar tre gola dhe ka dhënë tri asistime, duke konsoliduar pozitën e tij në formacionin bazë.
Megjithatë, pavarësisht interesimit të rinovuar të Barcelonës, gazetari gjerman raporton se një transferim në mes të sezonit nuk konsiderohet i realizueshëm në rrethanat aktuale./Telegrafi/












































