
Një dëmtim në momentet e fundit ka ndryshuar planet e Zinedine Zidane për listën e Francës. Për shkak të mungesës së Pierre Kalulu, trajneri francez ka vendosur të bëjë një zgjedhje surprizë, duke grumbulluar për herë të parë me kombëtaren A mbrojtësin e ri Sael Kumbedi, i cili aktivizohet te Wolfsburg në Bundesliga 2.
Lajmi ka tërhequr vëmendjen e tifozëve francezë, pasi 21-vjeçari deri më tani ishte pjesë e përfaqësueses U21 dhe nuk pritej të merrte një ftesë nga ekipi i parë. Kumbedi do të jetë në dispozicion të Zidane për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Italisë dhe Turqisë.
Veçantia e këtij grumbullimi qëndron te fakti se mbrojtësi aktivizohet në kategorinë e dytë gjermane. Sipas raportimeve, lojtari i fundit nga një kampionat i kategorisë së dytë që ishte grumbulluar nga Franca ishte David Trezeguet, në vitin 2007.
Kumbedi u transferua te Wolfsburg fillimisht në formë huazimi, përpara se klubi gjerman të vendoste ta blinte përfundimisht në janar. Ai është shndërruar në një lojtar të rëndësishëm për skuadrën, duke përfituar edhe nga besimi i trajnerit Strobl.
Më parë, mbrojtësi ka luajtur për Le Havre dhe Lyon, ku ka fituar përvojë edhe në Europa League. Tashmë, për Kumbedin hapet një kapitull i ri: debutimi i mundshëm me kombëtaren e madhe franceze.

